
Terminali verior i autobusëve në Tiranë, Rama: U pengua për 10 vjet nga gjykatës të papërgjegjshëm, gati këtë vit
Terminali i ri verior i Autobusëve në Tiranë do të jetë një hapësirë e re e gjelbër publike për qytetin me një kapacitet prej 30 vende nisje për zonën e jugut dhe 19 vende nisje për zonën e veriut.

Terminali i ri verior i Autobusëve në Tiranë do të jetë një hapësirë e re e gjelbër publike për qytetin me një kapacitet prej 30 vende nisje për zonën e jugut dhe 19 vende nisje për zonën e veriut.
Po ashtu terminali do të ketë 5 vende të destinuara për zbritjen e pasagjerëve dhe 45 vende të destinuara për parkim. Hapësirat e pasagjerëve në Terminal janë të organizuara rreth një kopshti publik të aksesueshëm, i cili mund të shijohet nga udhëtarët dhe qytetarët njësoj.
Hapësirat për këmbësorët do të jenë të veshura me asfalt, ndërsa çdo element tjetër i mobilimit urban do të shërbejë për të siguruar një hapësire të ngrohtë dhe familjare, me mirëmbajtje më afatgjatë.
Kryeministri Edi Rama dhe nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani inspektuan sot kantierin e punimeve për ndërtimin e Terminalit Verior të Transportit Publik.
Kryeministri e cilësoi këtë një ndalesë të rëndësishme, ndërsa solli në vëmendje kalvarin e këtij projekti.
“Projekti është premtuar denbabaden dhe në vitin 2015 kur ndodhi edhe ndryshimi dhe u rizgjua Tirana projekti u vendos në proces dhe u financua. Sot jemi në vitin 2025 dhe projekti ka 6 muaj që ka filluar, sepse për gati 10 vjet bashkia e Tiranës, qytetarët e Tiranës janë marrë zvarrë nga gjykatës komplet të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ndodhi njëlloj sikundër po mbahen familje të tëra zvarrë në Kombinat apo në pika të tjera jo vetëm në Tiranë nga gjykatës të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm, që nuk janë qytetarët e denjë të kësaj Republike.
“Fatkeqësisht kanë në dorë të marrin vendime për fatet e kësaj Republike që nuk duan të dinë për interesat publike, për rregullat e ligjet”, tha Rama, ndërsa shtoi se më në fund ky terminal është në rrugën e ndërtimit.
Rama theksoi se kjo zonë ishte një kënetë dhe nga kënetë u bë vend-depozitim autobusash.
“Nuk merrej vesh kush ishte autobusi dhe kush ishte njeriu, kush ishte pasagjeri dhe kush ishte shoferi, ku ishte rruga dhe ku ishte këneta. Këneta këtu u tha dhe kështu do ta thajmë kënetën dhe çdo kënetë që lidhet me kënetën si këtu. Por është fatkeqësi që humbëm 10 vjet për shkak të trukeve, lojërave dhe papërgjegjshmërisë së ca gjykatësve”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri shprehu bindjen se terminali këtu do të jetë si në Europë me të gjitha facilitetet.
“Do të ketë ulëset, tabelat elektronike të nisjeve dhe mbërritjeve, shërbimeve, biletarinë elektronike e të gjitha. Autobusët do të jenë të parkuar dhe nuk do të ketë më baltë, nuk do të ketë më gropa, s’do ketë më bretkosa dhe zhaba dhe do të kalojë në një nivel tjetër. I gjithë ky shërbim besoj brenda këtij viti. Edhe pse parashikohet të përfundojë në shtator jeta më ka mësuar se duhet marrë parasysh se çfarë do të ndodhë papritur, ndaj le të themi se do të jetë gati për Krishtlindje. Ata që do të duhet të vijnë në Tiranë nga jashtë apo ata që do të duhet të shkojnë jashtë me autobus do kenë një terminal si gjithë Europa”, shtoi Rama.
Ky, sipas kryeministrit, “është një lajm shumë i mirë dhe një çlirim i madh”.
Rama theksoi se kjo i rrit vlerat lagjes, pronës dhe i jep një dimension tjetër lidhjes së Tiranës me Kamzën. “Tanimë jo vetëm Kamza, por edhe Durrësi janë pjesë e një metropoli që do të bashkohen tërësisht në vitet e ardhshme”, tha Rama.
Ndërsa Ristani theksoi se “terminali është një investim shumë i madh dhe i shumëpritur”.
“Ka 30 vende autobusësh që drejtohen për në jug. 19 të tjera që drejtohen për në pjesën e veriut, të cilat, jo vetëm janë të sistemuara, por kanë dhe vendet e tyre dhe të parkimit, të qëndrimit dhe të zbritjes së pasagjereve. Ajo çka është më e bukur është që gjithë hapësira është konceptuar me prioritet të këmbësorëve dhe pjesëve të gjelbra. Nëse pjesa e autobusëve, tymi, ndotja mbetet prapa, ndërkohe udhëtimi bëhet më i këndshëm me gjithë hapësirat e shërbimit dhe hapësirat këmbësore. Do të ketë një hapësirë të caktuar vetëm për “Kiss and travel”, pra për ata që do lënë pasagjerin siç bëhet në aeroport dhe të largohen dhe pastaj do ketë dhe hapësirën e dedikuar të hipjes dhe zbritjes së pasagjerëve “, shpjegoi nënkryetarja e bashkisë, Anuela Ristani.
📍 Tiranë – Ndërtimi i Terminalit Verior të Transportit Publik
📍 Tiranë – Në kantierin e Terminalit Verior të Autobusëve dhe taksive, një infrastrukturë e shumëpritur europiane që u mor peng 10 vjet në gjyqe absurde “pronarësh” pa lidhje🚏🎫🧑🏻💻👩🏻💻🚍🚖
🚍🚏Terminali i ri do të jetë një hapësirë me të gjitha shërbimet, rreth një parku publik që do të rrisë ndjeshëm vlerën e zonës🌳
Posted by Edi Rama on Wednesday, February 26, 2025