
“Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare”
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja: “Një udhëtim unik nëpër historinë e Shqipërisë”.

Në Galerinë e Artit, në Tiranë u çel sot një nga ekspozitat më të rralla e të ngjyrshme në emocione nga bardhë e zi-ja e “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” në Galerinë e Artit Tiranë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili vizitoi sot në mbrëmje ekspozitën, e cilësoi atë “një udhëtim unik nëpër historinë e Shqipërisë”.
“Një udhëtim unik nëpër historinë e Shqipërisë, kapur mjeshtërisht nga objektivi i familjes Marubi, që sjell në dritë një shekull kujtimesh, traditash dhe artit fotografik”, tha ai.
Në ekspozitën “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” po shfaqen fotografi të jashtëzakonshme nga koleksionet e tre gjeneratave të fotografëve të Dinastisë Marubi, Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, imazhe nga arkiva (1865-1959) me mbi 150 mijë xhama negativë të Muzeut Kombëtar “Marubi” në Shkodër.
Këto imazhe, në vitin 2016 u ekspozuan në Muzeun e Fotografisë të Amsterdamit FOAM dhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në 2019.