
Kuvendi shtyn deri më 31 maj afatin e vlefshmërisë së dokumenteve për shtetasit shqiptarë jashtë vendit
Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë momenti të votimit.

Me shumicë të thjeshtë Kuvendi ka miratuar sot dy aktet normative të Këshillit të Ministrave për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj.
Me 76 vota pro Kuvendi i dha dritën jeshile, shtyrjes së vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportës, gjë që do të mundësojë votimin për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, të cilët kanë dokumente identifikimi të skaduara.
Po ashtu Kuvendi miratoi me 75 vota pro edhe projektvendimin i cili parashikon një shtesë prej 80 punonjësish me kohë jo të plotë pune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të përballuar fluksin e madh të regjistrimeve të shtetasve shqiptarë për të votuar nga jashtë vendit.
Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë momenti të votimit.
Kuvendi shtyu për seancën e radhës plenare votimin e projektvendimit për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen dhe Diskriminimin.
Burimi ATSH