
Stërvitja “Mburoja e Arbrit-25”, Vengu: Ecim shpejt drejt një riarmatimi të mirëfilltë
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë në nisjen e grup-batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) në stërvitjen dislokuese të koduar “Mburoja e Arbrit – 25”, e cila do të zhvillohet në rajone të ndryshme të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë në nisjen e grup-batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) në stërvitjen dislokuese të koduar “Mburoja e Arbrit – 25”, e cila do të zhvillohet në rajone të ndryshme të vendit.
Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi faktin se ky kapacitet kombëtar nën monitorim nga NATO, në vitin 2022, në stërvitjen “Biza – 22”, plotësoi kriteret për kategorinë e gatishmërisë “Combat Ready”, (i gatshëm për luftë), një certifikim që do të vazhdojë të ketë rëndësi për Forcat e Armatosura për katër vitet në vazhdim.
“Stërvitjet janë mjeti më i mirë, përveç luftës, për të ‘testuar’ nëse personeli, pajisjet dhe procedurat ndërveprojnë siç duhet dhe krijojnë bashkëveprimin e nevojshëm në operacion. Prandaj, kjo stërvitje e koduar “Mburoja e Arbrit-25” synon integrimin dhe ndërveprueshmërinë e të gjithave strukturave në përbërje të GBKL, si një strukturë e organizuar për detyrë, që formohet nga: bashkimi i kapaciteteve të luftimit, mbështetja me luftim, si dhe mbështetja me shërbime të luftimit, të cilat gjenerohen nga strukturat e Forcës Tokësore dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, ministri i Mbrojtjes.
Ministri Vengu përshëndeti integrimin e kapaciteteve moderne në këtë stërvitje siç janë dronët, sistemet e komunikimit me kriptim të lartë dhe armët me standarde të NATO-s, duke konfirmuar kësisoj grup-batalionin si një strukturë operacionale.
Pavarësisht kësaj, theksoi më tej Vengu, jam krejt i vetëdijshëm që qoftë pajimet tuaja personale, mjetet, sistemet, fuqia e zjarrit, në situatën aktuale të kërcënimeve, qoftë në rajon, qoftë edhe në kontinent janë tërësisht të pamjaftueshme.
“Këtu duhet t’i themi të vërtetën vetes, ta shohim të vërtetën me transparencë dhe t’i dalim për zot të gjitha sfidave që qeveria na ka vënë. Duhet padyshim të ecim me shpejtësi drejt një riarmatimi të mirëfilltë, qoftë nga pikëpamja e fuqisë së zjarrit, qoftë nga pikëpamja e sistemeve mbështetëse dhe të sigurisë në mënyrë që ndërveprueshmëria juaj në situata operacionale me aletatët të jetë 100%”, u shpreh ministri Vengu.
Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të qeverisë për përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimit të ushtarakëve, duke u përqendruar në rritjen e kapaciteteve operacionale, modernizimin e infrastrukturës dhe pajisjeve, si dhe investimet në zhvillimin e sistemeve të komunikimit dhe mbështetjes për Forcën Tokësore.
Kjo stërvitje dislokuese e GBKL i paraprin përgatitjeve për pritjen e stërvitjes së NATO “Defender 2025”, në vendin tonë dhe pjesëmarrjen në stërvitjet e tjera të NATO: Immediate Response – 25, Suber Guardian – 25 dhe Swift Response – 25, ku Forca Tokësore dhe Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë ka peshën kryesore.
Burimi ATSH