
Rama: Jemi të vendosur të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur me bashkëatdhetarët shqiptarë në Greqi, pak pas takimeve në Panairin e Parë të Punës me sipërmarrës dhe përfaqësues biznesesh, foli edhe për reformën në sistemin e drejtësisë dhe qëndrimin e Partisë Socialiste

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur me bashkëatdhetarët shqiptarë në Greqi, pak pas takimeve në Panairin e Parë të Punës me sipërmarrës dhe përfaqësues biznesesh, foli edhe për reformën në sistemin e drejtësisë dhe qëndrimin e Partisë Socialiste dhe qeverisë që ai drejton për ta dorëzuar me vetëdije shpatën e pushtetit të drejtësisë dhe për të duruar “dhimbjet” e kësaj reforme.
“Tani, ajo që ka rëndësi që ta ndaj me ju është që ndërkohë pikërisht për atë për të cilën ata thonë që unë dhe ne duhet të ulim kokën, pikërisht për atë unë dhe ne duhet të jemi kryelartë dhe jam kryelartë sepse për herë të parë në histori, që nga viti 1912 ata që janë të lidhur me pushtetin politik, nuk janë më të paprekshëm sepse për herë të parë që nga 1912, një pushtet, ky i yni, dorëzoi shpatën e ndëshkimit tek një pushtet tjetër. Deri dje atë shpatë, e mbante pushteti vetë, që nga 1912, në të gjitha regjimet e në të gjitha pushtetet e mëparshme, deri kur ne morëm detyrën, e nuk e morëm detyrën që të rrimë të ngrohim vezë por e morëm detyrën që të bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, shpata e ndëshkimit ishte në dorën e pushteteve dhe ja ligji, ja Maliqi. Po Maliqi, njësoj si salamandrat dhe zhapikët e vërtetë është ku e ku burrë më i mirë se sa ata që nënkuptohen me emrin e Maliqit dhe çfarë ndodhi? Ndodhi që kurrë, asnjëherë shqiptarët nuk u ndjenë të barabartë përpara ligjit. Ndodhi që duhet të kishte një emër të njohur, ndodhi që duhet të kishte dikë pranë pushtetit, ndodhi që duhet të ishe më i pasur se sa të tjerët, që ligji për ty të mos kishte asnjë vlerë. Ndërkohë që të tjerët u ndjenë të gjithë të poshtëruar.
Sot kjo ka ndryshuar tërësisht sepse ne me vetëdije të plotë kemi dorëzuar shpatën tek pushteti i drejtësisë dhe ndërkohë kemi vënë në dispozicion dhe organizmin tonë për çdo rast kur drejtësia sheh që duhet të ndërhyjë për të hequr një tumor e për të hequr një tumor tjetër. Vetëm kështu ne mund të luftojmë korrupsionin seriozisht dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi të barabartë me të gjithë ata që ende na shohin pak fare, akoma nga distanca e që janë në tryezën e Bashkimit Europian. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër, natyrisht që pastaj ndodh që disa gjëra të mos duken të drejta. Ndodh që disa gjëra të mos bëhen si duhet, por është një kohë shumë e shkurtër kjo për të gjykuar sepse drejtësia në Shqipëri nuk ka asnjë traditë pavarësie dhe tradita do kohën e vetë, por ne jemi shumë të vendosur që të mos e prekim pavarësinë e drejtësisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ai dhe qeveria socialiste është shumë e vendosur që t’i durojë të gjitha dhimbjet e padrejta.
“Nuk ka rëndësi, se kemi marrë misionin të udhëheqim Shqipërinë, nuk kemi marrë ne qeverinë për të gjetur disa vende pune.
Qeveria jonë ka një mision, për të udhëhequr Shqipërinë. Nëse duhet për të gjetur vende pune,janë panairet edhe nëpër panaire shkon gjen vende pune. Puna jonë nuk është një punë si gjithë të tjerat, puna jonë është një mision dhe kush merr përsipër të udhëheqë merr përsipër të mbajë edhe kostot, të durojë dhe dhembjet dhe të shohë objektivin.
Të gjitha këto që ndodhin do harrohen, do kalojnë por ama ajo që nuk do harrohet kurrë dhe që do mbetet përgjithmonë e shënjuar në historinë tonë, është që në ngritëm për herë të dytë flamurin tonë kombëtar dhe e ngritëm atje nga ku na parë për një kohë të gjatë nga lart poshtë. Nuk ka më nga lart poshtë. Ne do të bëhemi plotësisht të barabartë”, nënvizoi Rama.
“Mua më vjen keq për salamandrat dhe zhapikët, se salamandrat dhe zhapikët, ata të vërtetët që rrinë në kënetë, ata kanë disa funksione për të mbajtur ekuilibrin e ekosistemit. Ata kanë detyra dhe i bëjnë shumë mirë kurse këta që janë njerëz, por që nga pikëpamja njerëzore janë si salamandra dhe janë qenie më të ulëta se salamandrat dhe zhapikët e kënetës. Kështu që unë e di që ata të kënetës së vërtetë nuk na dëgjojnë por një ndjesë për ta e ndjej si detyrim që i krahasoj me ata që po na dëgjojnë. I dëgjoni kur thonë që duhet të iki Partia Socialiste? Duhet të iki Edi Rama sepse i hynë të gjithë ministrat në burg dhe tani e ka rradhën Edi Rama”, theksoi Kryeministri.
Rama e mbylli fjalën e tij me një falënderim për të gjithë shqiptarët e pranishëm në aktivitet, por jo vetëm, duke pohuar se drejt rrugëtimit evropian shikohen me respekt.
“Ju falenderoj shumë dhe ju siguroj që me të vërtetë që më e mira për shqiptarët është vetëm përpara. Sot ne e kemi vetë në dorë fatin tonë. Deri dje nuk e kishim ne në dorë fatin tonë, e kishin të tjerët ndërkohë që ça patëm ne në dorë, bëmë vetëm dëm, ndërkohë që sot ne e kemi vetë fatin tonë në dorë sepse të tjerët nuk na shohin më si qenie të kategorisë së dytë po e kanë kuptuar që ne e kemi shumë seriozisht dhe që me ne ka një kusht që ne nuk e negociojmë, mund të jenë më të pasur, mund të jenë më të mëdhenj, mund të jenë më të zhvilluar, mund të kenë shumë gjëra por në një gjë ne nuk negociohet; respekt për respekt. Japim respekt, duam respekt ndryshe me ne nuk mund të shkohet më tutje pa u ndalur në çdo moment kur mungon respekti, kështu që këtë e kemi sot siguruar ndërkohë që për ta kthyer në një marrëdhënie të përgjithëhershme dhe të padiskutueshme na duhet flamuri atje dhe na duhet t’i vëmë vulën një herë e mirë kësaj historie me marrjen e statusit anëtar i BE.
Ju jam shumë mirënjohës që erdhët deri këtu sot. E di që qëlloi pak ters se ishte një fundjavë e gjatë për Greqinë pasi keni edhe një festë këtu edhe nesër prapë e keni pushim. Si quhet kjo festa? Katara eftera?? Ok, agapimu?”, përfundoi Rama.
Burimi ATSH