
Miratohen rregullat e përdorimit të rrjeteve sociale dhe medias online nga institucionet publike në zgjedhje
Funksionarët publikë të çdo niveli nuk mund të përdorin direkt apo indirekt llogaritë e tyre zyrtare në rrjete sociale për qëllime partiake apo elektorale.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike miratoi sot rregullat e përdorimit të rrjeteve sociale dhe medias online nga institucionet publike në zgjedhje.
Ky vendim ka si qëllim parandalimin e sjelljes apo përdorimit të rrjeteve sociale dhe medias online të institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe të administratës shtetërore, gjatë periudhës kohore 4 muaj para zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, si dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Po ashtu vendimi, krijon një kornizë ligjore dhe rregullatore, duke përcaktuar qartë rregullat dhe standardet për përdorimin e rrjeteve sociale dhe medias online nga institucionet publike gjatë periudhave zgjedhore.
Funksionarët publikë të çdo niveli nuk mund të përdorin direkt apo indirekt llogaritë e tyre zyrtare në rrjete sociale për qëllime partiake apo elektorale. Pasqyrimi i veprimtarive partiake dhe elektorale duhet të lejohet vetëm në llogaritë personale në këto rrjete.
Gjithashtu, ndalohet pasqyrimi i veprimtarive të ndaluara në rrjetet sociale të institucionit publik, si dhe në ato zyrtare të funksionarit publik.
Ndalohet pasqyrimi i veprimtarive politike dhe elektorale, postimi i mesazheve elektorale në faqet zyrtare të internetit, në rrjetet sociale të institucionit publik, si dhe në ato zyrtare të vetë funksionarit publik.
Gjithashtu, u vlerësua raporti mbi veprimtaritë publike për periudhën 23 shkurt – 1 mars 2025. KSHZ vendosi fillimin e shqyrtimit administrativ ndaj: Bashkisë Bulqizë; Bashkisë Kuçovë; Bashkisë Tiranë; Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Finiq; Zyrës Vendore Arsimore Shkodër; Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Po ashtu gjatë mbledhjes u vlerësuan edhe raporteve të monitoruesve të fushatës zgjedhore për periudhën e monitorimit 23 shkurt – 1 mars 2025. Monitoruesit nuk kanë konstatuar shkelje gjatë monitorimit të tyre.
Në seancë publike u shqyrtuan administrativisht denoncimin me nr. 7, 22, 23, 25, 27, 28 të depozituara nga Partia Demokratike.
Vendimet për denoncimet ndaj Kryetarit ë Bashkisë Tiranë dhe ndaj Kryetarit të Bashkisë Mat do të shpallen në seancën e radhës.
Do të vijojë hetimi administrativ ndaj Kryetarit të Bashkisë Lezhë, ndaj Kryeministrit, ndaj Kryetarit të Bashkisë Himarë, pasi do t’u kërkohet depozitimi i provave të tjera shtesë.
Hetimi administrativ do të vijojë edhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Kopshteve dhe Çerdheve, të Bashkisë Tiranë objekt shqyrtimi i denoncimit nr. 24, të depozituar nga Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara/KRIIK.
Burimi ATSH