
Një libër kujtimesh, fare pak për një mjeshtër si Piro Milkani!
U takova rastësisht me mikun e vjetër Piro Milkani. Bleva librin e tij “E pabesueshme por e vërtetë”, dhe…

Nga Luan Rama
Para tre ditësh u takova rastësisht me mikun e vjetër Piro Milkani. Bleva librin e tij “E pabesueshme por e vërtetë” dhe në një kafene mes miqsh të mirë u shmallëm dhe kujtuam vitet e Kinostudios, kohën e pionerëve të kinematografisë shqiptare ku sot shumë prej tyre na mungojnë: Kristaq Dhamo, Hysen Hakani, Gëzim Erebara, Viktor Gjika, Xhanfize Keko, Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi, Vladimir Prifti, Kristaq Mitro e Ibrahim Muça etj dhe lista do të ishte e gjatë po të fillojmë me aktorët e shquar të kinemasë shqiptare të cilët mishëruan role të krijuara prej tyre.
Fytyrat e tyre i shohim shpesh herë në filmat që shfaqen në ekranet e televizioneve. Janë fytyra që i flasin asaj kohe si dhe të sotmes, për të kujtuar historinë shqiptare në ato kohë të vështira. Bashkë me Piro Milkanin kujtuan Kinostudion, Parisi e tij të dashur dhe vizitat e shpeshta, kohën kur me shkrimtarin franko-shqiptar Cizia Zykë udhëtonte maleve shqiptare kur të dy realizonin filmin “Kanuni”, një personazh i habitshëm por që ashtu si Kadareja edhe ai ishte i ftuar në emisionin e Bernard Pivot, “L’Apostrophe” ku ftoheshin gjigandët e letërsisë, Markez, Borghes, Solzhenitsin, Kundera, etj.
Ishte autori i librit bestsellers “Floriri”. E shikoja Piron tek flisnim, ashtu me portretin e tij thatim por gjithnjë gazmor dhe kujtesën e tij të hatashme që për mua përbën një kujtesë gjithashtu të kinemasë shqiptare. Eshtë studenti i Pragës i viteve 60-të dhe tek fliste, ky bashkëkohës i Milosh Formanit dhe Jean Nemec më shfaqej si një personazh i filmit të bujshëm “Dashuritë e një bjondeje”, i Forman (1965), një kryevepër e vendeve të Lindjes që atëherë shihej ngado në sallat e Perëndimit. Ishte koha e “valës së re” çeke, njëkohësisht me “Nouvelle vague » franceze me Godart, Truffaut apo Rohmer e Chabrol, ndërkohë që J. Menzel realizonte filmin me romanin e Bohumil Hrabal “Një tren shumë i mbikqyrur”. Pikërisht me këtë frymë Milkani do të zbarkonte në Shqipëri për të filluar një jetë në art. E unë do të doja ta ndjeja këtë në librin e tij.
Pasi u ndava me të, në shtëpi nisa ta lexoj me një frymë librin e tij, jetën e tij në art, ato copëza jete dhe kujtime të ngrohta me artistë dhe personazhe politike. Lexoja dhe kujtoja figurën e tij në koridoret dhe sallat e filmit të Kinostudios, njeriun hokatar dhe të shqetësuar gjithnjë për artin dhe gjuhën e filmit, për botën e ekranit dhe simbolin e veprës artistike, kujtova një nga figurat më fisnike të kinemasë shqiptare dhe pas një çasti hezitimi, shpejt realizova se ai libër ishte fare i pakët për botën e tij dhe atë që ai kishte përjetuar, pasi për ne që e kemi njohur nga afër, Piro ishte një minierë ngjarjesh, batutash, humori, njohjesh, pasionesh dhe realizimesh.
Po, prisja të lexoja shumë më tepër. Sigurisht në libër ka kujtime të mrekullueshme dhe emocionante si me aktoren çeke Ema Cerna dhe kujtimet me shokun e tij të klasës së regjisë Jean Nemec, botën studentore të lirisë dhe krijimit, bashkëkohësit e tij shqiptarë si Nuri Sallaku me dramën e madhe të tij për të cilin u realizua dhe filmi “Këpucët e studentit”, një gjetje e mrekullueshme dhe artistike kjo; historia e Shankarit apo koha kur xhirohej “L’Amerika”, takimet me Gubitozin apo me Bekim Fehmiun dhe ardhja e tij në Shqipëri, takimet me Vaclav Havel dhe vdekja e tij klinike në Pragë, e të tjera. Por përjetimet e tij në gjithë këto dekada kanë qenë shumë më të mëdha Cdo film që ka realizuar ka përfshirë një kohë të paktën dyvjeçare dhe brenda këtyre viteve shumë ngjarje kanë ndodhur, shumë histori, shumë personazhe që janë lënë jashtë këtij libri.
Sigurisht flitet për realizimin e filmit “Ballëpërballë” por jam i bindur se po të flisja me të rreth këtij filmi ai do të më thoshte shumë më tepër, pasi një film është një botë më vete. Kjo është gjithashtu dhe për filma të tjerë, veçanërisht me filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder” me episode të vështira dhe aktoren e famshme që e solli në Shqipëri. Po, mund të shkruhej një roman, por gjatë shkrimit të këtij libri Piro nuk ka dashur të shkruaj shumë, ndoshta duke menduar se duhej të ishte modest dhe se ato ishin përjetimet që i përkisnin atij dhe jo një publiku të gjerë. Vetë jeta në Pragë është gjithashtu një roman më vete në dy kohë të cilat ngjizen me njëra-tjetrën, njëra kur ishte student dhe tjetra kur shkoi si ambasador.
Disa fragmente të shkurtra për mua nuk mjaftojnë, ndoshta kërkoj shumë dhe kjo vjen ngaqë jeta e tij, bota e tij emocionale, miqësitë e tij, pikëtakimet e shumta siç është dhe pamja e Luchino Viskontit, do na flisnin akoma më shumë. E po këshu dhe përjetimet e tij dhe përplasjet në kohën e censurës dhe autocensurën në atë epokë të errët ku diktati idelogjik ishte shumë i madh. Cfarë ka ndjerë në shpirtin e tij ky regjisor dhe si e ka zgjidhur të qenit artist në një kohë të tillë. Cilat ishin vuajtjet e tij, pasi ne që kemi jetuar atë kohë e njohnim këtë përplasje dhe të ankthit të madh. E Piro ishte nga ata që e tërhiqte gjithnjë poetikja, natyralja, ajo që ishte realiste dhe që i fliste ardhmërisë.
Shkruaj këto pak rreshta për librin me kujtime dhe duke parë ato pak fotografi të librit, shtypur jo siç do duhej, imagjinoj se po të ishim para një albumi fotografik të familjar dhe të realizimeve artistike, atëherë një botë akoma më e madhe do të na shfaqej para nesh. Dhe atëherë do të njohnim dhe dashurinë e tij për Bebin, atë udhëtim të bukur të këtij çifti artistësh që është një e veçantë për jetën e tij. Pra mjaft episode të jetës nuk i shohim edhe pse shumë miq të afërt i dinë. Por këtu çështja është për të lënë historinë e plotë të një artisti.
Piro është një artist i fjalës dhe do të mjaftonte një manjeton dhe biseda do të na çonte në shtigje të tjera, pasi memorja e tij është e hatashme. Ajo mbeti e paprekur dhe kur përjetoi korridorin e dritës që e priste në botën e përtejme. Libri është botuar bukur dhe në spanjisht dhe kjo më gëzon, por unë ndoshta kërkoj shumë dhe e di që Piro do më falë, por kështu ndodh me njerëz të tillë si ai, ku duam që brezat që vijnë të njohin artistët shqiptarë që kanë udhëtuar në dete të vështira por që janë kthyer gjithnjë në breg. Chapeau mon cher Piro! Kujtoj ardhjet e tua në Paris dhe javët e filmave shqiptarë dhe pres të shihemi përsëri.