
Spiropali në Poloni, vendos kurora me lule në Sheshin e Ushtarit të Panjohur në Varshavë
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Poloni.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Poloni.
Në vijim të vizitës së saj, Spiropali në shenjë respekti e nderimi për sakrificat e bijve e bijave të popullit polak për lirinë dhe atdheun e tyre, vendosi kurora me lule në Sheshin e Ushtarit të Panjohur, në Monumentin e viktimave të Smolenjsk dhe në Monumentin e ish-Presidentit të ndjerë të Republikës së Polonisë, Lech Kaczynski.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në kuadrin e Presidencës polake të Bashkimit Europian, nisi dje vizitën zyrtare në Poloni, gjatë së cilës shoqërohet nga Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Jashtëm, Anduel Tahiraj, kryetar i Grupit të Miqësisë, Milva Ekonomi, anëtare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Eralda Bano, anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, dhe ambasadorja Mimoza Halimi.
Në këtë vizitë Spiropali u takua me kryetarin e Parlamentit, Szymon Hołownia, kryetaren e Senatit, Małgorzata Kidawa-Błońska dhe personalitete të tjera të larta.
Gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit, Szymon Hołownia, Spiropali nënvizoi se anëtarësimi në BE brenda vitit 2030 dhe përfundimi i negociatave brenda vitit 2027 përbën një objektiv strategjik kombëtar të Shqipërisë.
Burimi ATSH