
“Andrra bjeshkësh e dritash t’argjendta”
(Cikël poezish nga poetja e mirënjohur Merita Gruda)

Nga Merita Gruda
***
PARA DIELLIT
Para diellit
në park vijnë pleqtë
ndonjëri me radio në dorë
hapur në një stacion që jep lajme
o muzikë të vjetër
me këngë të një dashurie të pamundur.
Vetëm a të shoqëruar,
me hapa të ngadaltë
çapiten sikur masin kohën e mbetur
Pastaj dalin ata që shëtisin qentë
ende përgjumësh mbahen në litarin
lidhur me kafshën besnike
ose i lëshojnë,
karrem për njohje të reja
Të tjerë duken më vonë
nxitojnë, vrapojnë…
gjendur diku mes kohësh,
më shumë se askush
i friken asaj që ikën
Kur dita ka marrë udhë
shpërfillshëm
zhurmojnë rruginash të rinjtë
që se pse besojnë
se kanë kohë për gjithçka…
— • —
GJEOGRAFI
Në viset e tua,
Drini del rrëmbyeshëm,
shkumon e zbardhon
e ngre n’ajri avuj të ylbertë,
tërbohet në theqafje shkrepash
e madhështi grykash që të lënë pa frymë.
Në viset e mia,
Drini vjen trazuar
në shtjellat e veta vlon
andrra bjeshkësh e dritash t’argjendta
ndizet e përndizet
në et’ fushash e ujërash të jeshilta Bune.
Nga viset e tua në viset e mia
Drini sjell mallin
e Bunës ia fal në përqafim.
E ashtu,
kapërthyer mallesh,
Drin e Bunë,
kridhen në det
e gjejnë paqtim.
–*–
KOHA
Era, shiu, dielli
me durim
kthejnë në pluhur
përkohësinë tonë
Nga e para
Dheu Uji Zjarri
ngrenë tjetër formë
dhe Fryma i fal shpirt
Koha
luan figurinash
me segmente përkohësie
— • —
ROZAFË
Ndoshta,
kur Cukali mëngjeseve lëshonte diellin
a kur Taraboshi e përkundte në perëndim,
Ndoshta,
kur qielli errej shiut që derdhej mbi Bujanë e Drin
a kur era lëshonte kujën në kala e faqen e liqenit rrudhte
Ndoshta,
Në ditënetët me peshë shekujsh, sa herë ke pyetur:
“Pse?
Pse plaku i moçëm zgjodhi
një grua?”
Ndoshta,
me kohën,
kur djalin dhe muret mëkoje me qumësht,
kuptove atë,
që urtësia e dinte,
por vëllezërve
nuk ua tha me fjalë:
Janë burrat ata që i ndërtojnë kështjellat,
por, në jetë,
i mbajnë
gratë.