
Ish-presidenti i PE, Schulz: Më shumë se kurrë na duhet një Evropë e bashkuar
Schulz ishte në panel së bashku me Kryeministrin Edi Rama, me Veronika Tsepkalo, pjesë e opozitës bjelloruse, laureate e çmimit “Karlspreis”, René van der Linden, President Nderi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe dr. Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”.

Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Evropian dhe laureat i çmimit “Karlspreis” deklaroi sot se, “më shumë se kurrë na duhet një Evropë e bashkuar”.
Schulz ishte i pranishëm në diskutimet në panelin e konferencës që u zhvillua në Tiranë lidhur me fituesit e çmimit të madh Ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta europiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Europës.
Gjatë fjalës së tij, Schulz u shpreh se “Evropa gjatë 10-vjeçarëve të fundit ka qenë në fakt e sigurt”.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Presidenti i saj dhe Zv/presidenti për mendimin tim, ndoshta për arsye shumë ideologjike, po vënë në pikëpyetje parime kryesore të botës perëndimore”, tha Schulz.
Schulz theksoi se, vlerat perëndimore bazohen mbi tre aspekte: respekti, toleranca dhe dinjiteti.
“Respekt do të thotë respekt për cilindo individ në shoqëri. Tolerancë për mendimet e tjera, për mënyrat e tjera të jetuarit, për besimet e tjera. Dhe gërshetimi i respektit individual dhe i pranimit, tolerancës së të tjerave, gjërave të tjera, ky është ai gërshetim që sjell dinjitetin. Dhe dinjitetin ti ua jep të tjerëve, duke pritur që edhe ata të pranojnë dinjitetin tënd”, tha Schulz.
Kjo shtoi ai, “është baza e një njeriu me mendje të hapur. E një mendjeje të hapur e cila ekziston në një vend demokratik, heterogjen, shumëkulturor, shumëfetar, por edhe me shumë mendime dhe këndvështrime nga më të ndryshmet”.
“Ajo gjë me të cilën ne po përballemi tashmë është që qendra e pushtetit e një nga demokracive më të mëdha në botë, ai person po sillet në një mënyrë të tillë që po e bën sjelljen pa respekt, e ka kthyer në strategji dhe mungesën e tolerancës në model. Dhe një sjellje pa dinjitet në përvojën e përditshme të njerëzve kudo në botë”, tha Scholz.
“Shpresoj që evropianët më në fund të kuptojnë që sfidën mund ta zgjidhin duke qenë të përbashkët dhe të bashkuar, sepse gjithë ata qindra miliona evropianë, plus ato vende që duan të bëhen shtete anëtare dhe duke marrë parasysh edhe faktin që tregu unik i Bashkimit Evropian, pra tregu i vetëm vazhdon ende të jetë enti më i madh ekonomik në botë dhe nuk është i dobët kurrsesi në rast se është i bashkuar”, tha Schulz.
“Duhet të shmanget çdo lloj strategjie për ta përçarë Evropën, për ta ndarë atë me synimin për ta dobësuar atë. Në Moskë për arsye ideologjike dhe në Uashington për momentin na duket, të paktën në dukje, për arsye ekonomike”, tha ai.
“Në rast se evropianët mund ta kuptojnë që këtë interes të përbashkët mund ta ruajnë duke punuar më shumë për respektin, dinjitetin, tolerancën dhe duke qenë të bashkuar, atëherë unë mendoj që Trump po kontribuon kundrejt asaj gjëje të cilën unë e kam kërkuar gjatë gjithë jetës time politike: një Evropë të bashkuar e më të fortë që shkon përtej kombit shtet, që sigurisht vazhdon të funksionojë dhe ekzistojë, por po funksionon mbi të, pra jo që të vihen shtetet-kombe kundër njëra-tjetrës, por të jenë të bashkuara duke shkuar drejt brezave të ardhshëm me respekt dhe dinjitet. Dhe që fëmijët e të rinjve këtu dhe fëmijët e fëmijëve të tyre dhe e ardhmja e atyre të mos vendoset në Pekin apo në Uashington, por në Berlin, Paris, Tiranë. Pra më shumë se kurrë na duhet një Evropë e bashkuar”, tha Scholz.
Schulz ishte në panel së bashku me Kryeministrin Edi Rama, me Veronika Tsepkalo, pjesë e opozitës bjelloruse, laureate e çmimit “Karlspreis”, René van der Linden, President Nderi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe dr. Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”.
Burimi ATSH