
Kredi të buta dhe garanci sovrane, Denaj: Bujqësia me nivelin më të lartë të financimit ndonjëherë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur konsultimet për programin e ri mbi financimin në bujqësi.

Më shumë mundësi financimi për bizneset e vogla e të mesme në sektorin bujqësor.
Në vijim të takimeve konsultuese, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe drejtoreshën e AZHBR Ardita Kuçi zhvilluan një bisedë me përfaqësues të Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë dhe përfaqësues të bankave të nivelit të dytë për Kredinë e Butë dhe Garancinë Sovrane.
Denaj tha se, “Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%”.
Sipas saj, këto dy instrumente financiare sjellin financimin më të lartë të akorduar ndonjëherë për sektorin bujqësor.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur konsultimet për programin e ri mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro, do të mbështeten investimet në serra, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.
Burimi ATSH