
Rama: Shqipëria nuk ka plan “B” përveç integrimit në BE
Kryeministri Rama ishte në panel së bashku me Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Europian dhe laureat i çmimit “Karlspreis”

Roli i rinisë në të ardhmen e kontinentit europian mblodhi sot për herë të parë në Tiranë, fituesit e çmimit të madh Ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh”, një nga nderimet më të larta europiane për personalitete me kontribut në bashkimin dhe përparimin e Europës.
Duke folur në panelin e kësaj konference, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka plan “B” përkundrejt lirive individuale që garantohen vetëm në Bashkimin Europian.
“Nëse doni të negocioni lirinë tuaj atëherë hiqni dorë mos u bëni pjesës e BE-së, por në rast se nuk doni të negocioni duhet të jeni pjesë e BE-së”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri theksoi se nuk ka plan “B” përballë shtetit të së drejtës dhe të qenit të barabartë para ligjit.
“Mund t’ju ofrojnë vodka dhe havjar, por hiqeni nga mendja shtetin e së drejtës dhe barazinë para ligjit që garantohet vetëm nëse je pjesë e të gjitha të drejtave që vijnë nga BE. Liria mund të garantohet duke qenë pjesë e BE-së”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje shembullin e Afganistanit apo Irakut, ku njerëzit kanë pasur mundësinë për ta shndërruar vendin e tyre në demokraci funksionale dhe nuk funksionoi.
“Nuk do të funksionojë kurrë nëse nuk ke BE-në si pikën tënde të horizontit, se nuk ka të bëjë vetëm me atë që është sot, por edhe me mënyrën se si mund të arrish dhe sa mbështetje ke në mënyrën se si mësohesh për ta bërë këtë gjë”, tha Rama.
Kryeministri Rama ishte në panel së bashku me Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Europian dhe laureat i çmimit “Karlspreis”, Veronika Tsepkalo, pjesë e opozitës bjelloruse, laureate e çmimit “Karlspreis” dhe dr. Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize”.
Po ashtu i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe René van der Linden, President Nderi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.