
Rama: Shqipëria, pararojë në rajon për t’u bërë pjesë e BE-së
Në një takim me gra dhe vajza nga i gjithë vendi, me rastin e 8 Marsit, Rama theksoi se “kur ne morëm detyrën ishim të fundit fare në trenin e anëtarësimit në BE”.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria është në pararojë nga vendet e rajonit për sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Në një takim me gra dhe vajza nga i gjithë vendi, me rastin e 8 Marsit, Rama theksoi se “kur ne morëm detyrën ishim të fundit fare në trenin e anëtarësimit në BE”.
“Ku janë tani atë të pararojës? Jemi ne lokomotiva tani në gjithë rajonin dhe jemi ne më afër të gjithëve për t’u bërë pjesë e BE-së”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi po ashtu përfitimet që do të ketë vendi nga anëtarësimi në BE, siç është garantimi i lirive individuale.
“Nuk të ketë më asnjë buf kënete që do të zgjohet e ngjallet që të prekë liritë individuale. Hyrja në BE nuk varet vetëm nga ne. Ne i kishim bërë detyrat e shtëpisë edhe më parë, por na pengonin. Sot janë përputhur gjërat dhe sa duam ne të hyjmë, aq duan edhe ata të na fusin brenda, por kjo nuk mund të jetë aty përgjithmonë”, tha Rama, ndërsa shtoi se, “është koha që ne ta shfrytëzojmë këtë mundësi”.
Kryeministri theksoi se kur Shqipëria të hyjë në BE nuk do të ketë më rëndësi se kush qeveris këtu, por për sa kohë nuk kemi hyrë akoma, se kush qeveris këtu është themelore.
Duke u ndalur te arritjet, Rama tha se “kemi pasur një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar më pak se 10 miliardë euro, sot e kemi 25 miliardë euro, dy herë e gjysmë më shumë”.
“Kemi pasur të ardhura për frymë më pak se 4 mijë euro, sot i kemi mbi 10 mijë euro. Nuk janë mjaft akoma, por janë shumë më shumë se ç’ishin dhe do t’i bëjmë më shumë akoma. Dhe sot, e kemi një pagë mesatare në sektorin publik që s’mund ta imagjinonte kush se do të ishte paga mesatare e vitit 2024,mbi 900 euro. Do ta bëjmë edhe më shumë”, tha ai.
Kryeministri theksoi po ashtu se “duam që në Shqipërinë 2030, paga mesatare të jetë një pagë ku e ku mbi 1000 euro dhe do ta arrijmë këtë gjë edhe në sektorin publik, edhe në sektorin privat”.
Burimi ATSH