
Marrëveshje bashkëpunimi midis Akademisë së Shkencave dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u nënshkrua sot një marrëveshje bashkëpunimi nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Anila Shehu.

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u nënshkrua sot një marrëveshje bashkëpunimi nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Anila Shehu.
Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëri një prezantim të funksionimit të qendrave dhe njësive shkencore të ASHSH-së dhe shtrirjes së bashkëpunimeve të këtyre qendrave në rajon dhe në qendra të rëndësishme të kërkimit shkencor në Europë e më gjerë.
Ai shprehu mbështetjen dhe interesin që ka ASHSH-ja si institucioni më i lartë i kërkimit shkencor në vend për bashkëpunime të institucionalizuara.
Më tej, akad. Gjinushi e vuri theksin në rolin e Akademisë së Shkencave për të këshilluar e ndihmuar qeverinë dhe institucionet qendrore me rekomandime, ekspertiza e oponenca për aspekte të rëndësishme të kërkimit shkencor, të formimit të specialistëve të lartë dhe të planifikimit të projekteve të së ardhmes për të përmbushur edhe angazhimet në kuadër të integrimit në BE.
Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Anila Shehu, falënderoi Akademinë e Shkencave, duke evidentuar faktin se kjo marrëveshje do të krijojë mundësinë që në projekte që AMBU-ja zhvillon ne fokusin e gjeoinxhinierisë e gjeoshkencave, në fushën e pasurisë ujore, të bashkëpunojë me specialistët e Akademisë së Shkencave në fushën e ekspertizave. Ajo vuri në dukje rolin e specialistëve për ekspertizën në përpilimin dhe zbatimin e rezultateve. Shehu tha më tej se Shqipëria ka ekspertë shumë të mirë dhe synimi është që ata të përfshihen më gjerësisht në projektet europiane.
Akad. Gjinushi premtoi se ASHSH-ja do të nxisë bashkëpunimin e njësive dhe qendrave të kërkim studimit pranë saj me AMBU-në, siç janë njësia e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive dhe njësia e pasurive ujore.
Në takimin për nënshkrimin e marrëveshjeje ishin të pranishëm zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole; sekretarja shkencore akad. Anila Hoda; kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike akad. Neki Frashëri; drejtuesi i njësisë së gjeoinxhinierisë dhe gjeoshkencave, akad. asoc. Rrapo Ormëni; z. Dion Jemini, përgjegjës sektori (AMBU) etj.
Marrëveshja e nënshkruar ka si synim zhvillimin e veprimtarive me interes të përbashkët, lidhur me kërkimin shkencor, projektet, ekspertizat dhe oponencat tekniko-ligjore në fushën e gjeoinxhinierisë dhe gjeoshkencave, pasurive ujore dhe mjedisit.