
Rama: Mbi 1000 km rrugë me standarde europiane
Kryeministri Edi Rama u shpreh se, kurrë më shumë se sa në këtë dekadë nuk janë ndërtuar rrugë, shkolla dhe spitale dhe të gjitha me standarde europiane.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se kurrë më shumë se sa në këtë dekadë nuk janë ndërtuar rrugë, shkolla dhe spitale dhe të gjitha me standarde europiane.
Përmes një videomesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj tre komentuesve të cilët kanë reaguar pas publikimit nga kryeministri të punimeve për aksin Shëngjin-Velipojë.
Rama theksoi se janë ndërtuar “53 spitale të reja, 450 shkolla, thuajse 1 mijë kilometër korridore kombëtare, pa llogaritur disa mijëra të tjera kilometra rrugë turistike, rurale e urbane”.
Ndërkohë, kryeministri theksoi se aksi Shëngjin-Velipojë është një aks i mahnitshëm panoramik.
“Që kur nuk mbahet më mend rruga përkatëse ka qenë ëndërr e banorëve dhe një premtim i politikanëve. Tanimë ajo rrugë është drejt përfundimit dhe postimi sot në mëngjes i videos për të ka nxitur komente në të cilat dy ose tre vlejnë të diskutohen”, tha Rama.
Duke iu përgjigjur një komentuesi që pretendon për mungesë standardesh në ndërtimin e rrugëve, Rama theksoi se në fakt e kundërta është e vërtetë.
“Nëse ka një dallim kryesor fare mes çfarë ndodhte me rrugët e kënetës dhe çfarë i karakterizoi afro mijëra kilometra rrugë të ndërtuara dhe rindërtuara prej nesh janë standardet. Këtë nuk e them unë, këtë e thonë partnerët tanë të BE-së”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “pas një beteje të gjatë ne e futëm Shqipërinë edhe në korridoret europiane në vitin 2023 dhe po ndërtojmë dy segmente të rrjetit europian në Shqipëri, Korridorin Blu dhe Korridorin 8″.
Rama theksoi se edhe Rrugën e Kombit që u hap në kohën e kënetës jemi përpjekur një dekadë të tërë ta fusim në standardet e BE-së dhe përpjekja akoma tani që flasim nuk ka mbaruar 100%”.
“Ironia pastaj se standardet mungojnë ngaqë ne paguajmë zgjedhjet është një fyerje direkte për thuajse 800 mijë shqiptarë që në 11 maj do t’i afrohen 1 milionëve që më votojnë mua dhe PS-në, pikërisht sepse ne po ndërtojmë një Shqipëri me standarde mbi kënetën e plagëve të thella që trashëguam kur morëm detyrën”, theksoi Rama.
Kryeministri iu përgjigj po ashtu një tjetër komentuesi sipas së cilit Shqipëria nuk i afrohet Italisë në zhvillim.
Rama theksoi se “Italia është një nga shtatë ekonomitë më të mëdha të botës dhe ka thesarin më të madh të trashëgimisë kulturore botërore, kështu që Shqipëria as nuk bëhet Italia dhe as ka pse pretendon të bëhet Italia.”
“Por pa diskutim që mundet dhe do të bëhet një copëz Italie këtu në Ballkan për 1 mijë e një arsye që nuk është vendi t’i ndajmë këtu. Por një gjë nuk e kuptoj unë, pse nuk gëzohesh ti kur sheh një punë të bukur në Shqipëri”, iu drejtua Rama komentuesit.
Duke iu përgjigjur një tjetër komentuesi, Rama tha se “në 12 vjet namin mbase nuk e kemi bërë, por që namin e zi Shqipërisë ia kemi hequr”.
“Dhe kjo nuk ka fare asnjë diskutim. Dje Shqipërinë e vizitonin vetëm turistët patriotikë, ndërsa vjet e vizituan 12 milionë turistë nga e gjithë bota dhe këtë vit do të jenë më shumë. Dje Shqipërinë nuk e vizitonin më udhëheqësit e vendeve të tjera, ndërsa sot udhëheqësit e vendeve të tjera mblidhen në Shqipëri bëjnë samite për të diskutuar tema ndërkombëtare”, tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se “dje Shqipërinë dhe shqiptarët të huajt i shikonin nga lart poshtë me nënqeshje në rastin më të mirë, ndërsa sot jemi ulur si të barabartë me ta për të negociuar hyrjen në BE dhe kemi drejtuar disa forume që deri dje as mund të imagjinohej se mund të ishim ne në krye”.
“Rrugë, shkolla, spitale kurrë më shumë se sa në këtë dekadë nuk janë ndërtuar dhe me standarde europiane. 53 spitale të reja, 450 shkolla, thuajse 1 mijë kilometra korridore kombëtare, pa llogaritur disa mijëra të tjera kilometra rrugë turistike, rurale e urbane. Ujë jo, drita jo? Dje Shqipëria kishte vetëm 4 zona urbane dhe zero rurale me ujë 24 orë. Sot ka 43 zona urbane dhe 98 rurale me 24 orë ujë, ndërkohë që çfarë ka mbetur do të mbyllet në mandatin e katërt. Energjia??? Këtu e teprove. Dakord nuk del dot nga këneta, por të paktën mos e thuaj haptazi se nuk është mirë për reputacionin e askujt që të duket haptaz që nuk del dot nga këneta”, iu drejtua Rama komentuesit.
Burimi ATSH