
Rama në kantierin e Fakultetit të Studimeve Profesionale në Durrës: Program i veçantë investimesh për rezidencat e studentëve
Ky investim do të vihet në shërbim të 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve të stafit akademik të këtij fakulteti dhe parashikon ndërtimin e një godine bashkëkohore me 30 auditorë, 15 laboratorë shkencorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente rekreative, pishinë dhe park.

Kampusi i ri i Fakultetit të Studimeve Profesionale që po ndërtohet në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, është një ndër investimet e qeverisë, pjesë e procesit të përmirësimit të infrastrukturës mësimore dhe laboratorike të institucioneve të arsimit të lartë.
Ky investim do të vihet në shërbim të 1700 studentëve dhe 80 pedagogëve të stafit akademik të këtij fakulteti dhe parashikon ndërtimin e një godine bashkëkohore me 30 auditorë, 15 laboratorë shkencorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente rekreative, pishinë dhe park.
Zhvillimi i kampusit do të vijojë më tej me një kompleks rezidencial për akomodimin e studentëve që vijnë nga rrethet e tjera.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, në kantierin ku aktualisht po punohet, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu dhe Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, i shoqëruar nga Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Shkëlqim Fortuzi.
Kryeministri theksoi se është diskutuar prej kohësh për një program të veçantë për të bërë rezidencat e studentëve.
“Ne në fakt e kemi diskutuar, na hyri në mes rindërtimi sepse ra tërmeti, por e kemi diskutuar që do të ndërtojmë një program të veçantë për të bërë rezidencat e studentëve sepse është shumë më mirë të bëjë qeveria në bashkëpunim me bashkinë dhe natyrisht me një qera që është shumë më modeste se qeraja që detyrohen të marrin. Në njëfarë mënyre dhe investimi lahet në një kohë të gjatë. Tani që përgjithësisht rindërtimi është mbyllur, ka dhe disa gjëra që kanë mbetur sepse ka një numër familjesh që nuk kanë aplikuar në kohë por ndërkohë u takon dhe me atë grup do merremi sepse dhe këtu në Durrës kemi dhe do ta bëjmë këtë. Këtu duhet marrë një arkitekt që bëjë një masterplan të plotë të të gjithës sepse këto janë bërë copa-copa në kohë të ndryshme”, tha Rama.
Duke informuar mbi këtë investim, Manastirliu theksoi se ai do të ndryshojë rrënjësisht cilësinë e mësimdhënies në studimet profesionale.
“Ky fakultet ka marrë vlerën e vet dhe për arsyen se numri i studentëve është në rritje për çdo vit. Fakulteti do të ketë 30 auditore, 15 laboratorë të shkencave teknike duke përfshirë atë të mekanikës, navigacionit, shkencave mjekësore teknike si dhe ambiente rekreative për studentët. Është planifikuar edhe pishinë, tarraca të gjelbra, biblioteka e terrene sportive për ta bërë këtë kampus me standardet më të mira europiane”, tha Manastirliu.
Ministrja informoi se degët profesionale në këtë universitet janë degë të kërkuara, ndërsa shtoi se mbi 1700 studentë përfitojnë nga ky investim i ri, i cili i hap rrugën edhe investimit tjetër që të ketë rezidencë për studentët.
“Në të dyja anët e kampusit kemi investime për sportin si akademia e “Manchester City” dhe akademia e tenisit e ‘Rafa Nadal’. Zona bëhet një kompleks i vërtetë shërbimesh jo vetëm arsimore, pro edhe edukative dhe sportive që i shërben studentëve dhe më gjerë”, tha ajo.
Duke folur për investimin e ri dhe zgjerimin me një rezidencë për studentët, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Shkëlqim Fortuzi tha se “nga jashtë Durrësit vijnë rreth 3000 studentë, nga rrethe të largëta si Peshkopia, Kukësi, Librazhdi plus kemi kërkesë dhe nga studentë të huaj”.
“Aktualisht kemi 9 studentë nga La Sapienza, nga Gjermania dhe nga një universitet francez. Me investimin e ri do të ndërtohen 15 laboratorë të tjerë të rinj. Do të mbyllim ciklin si një universitet bashkëkohor modern. Sa i përket ndërkombëtarizimeve, aktualisht kemi eficente 7 programe studime të përbashkëta me universitete europiane”, shtoi ai.
Burimi ATSH