
Hoxha: Projekti “Smart City” rrit sigurinë, monitorim i akseve rrugore dhe të gjithë territorit
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në fjalën e tij sot në Kuvend tha se miratimi i marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t është i një rëndësie thelbësore në jetësimin e projektit Smart City, një projekt shumë i rëndësishëm dhe kaq strategjik

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në fjalën e tij sot në Kuvend tha se miratimi i marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t është i një rëndësie thelbësore në jetësimin e projektit Smart City, një projekt shumë i rëndësishëm dhe kaq strategjik, i cili ka si objektiv rritjen e nivelit të sigurisë kombëtare në vend, monitorimin e akseve rrugore dhe të gjithë territorit.
Ministri kërkoi nga parlamenti që ta votojë këtë projektligj, i cili do t’i hapë udhën zbatimit të këtij projekti me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.
Sipas ministrit projekti synon rritjen e sigurisë në komunitet gjithashtu, përmes teknologjisë: “Uljes së numrit të veprave penale; përdorimit të teknologjive të reja për kontrollin e territorit dhe rritja e numrit të zonave policore të mbuluara me pajisje teknologjike (dronë, dylbi, GPS, tableta dhe pajisje të tjera); Uljen e numrit të shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, numrit të aksidenteve, duke ushtruar kontroll efektiv të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve”.
Hoxha tha se projekti përfshin një fazë zbatimi prej 12 muajsh nga data e fillimit, si dhe një fazë funksionimi dhe mirëmbajtje për një periudhë prej 48 muajsh.
“Projekti ka kaluar deri më tani në disa etapa, duke përfshirë hapat kyç në zhvillimin e tij dhe sfidat e hasura gjatë procesit. Kjo fazë përgatitore bazohet në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe “Presight AI” Ltd., të nënshkruar gjatë vizitës zyrtare të Ministrit të Brendshëm në Abu Dabi”, u shpreh ministri.
Hoxha theksoi më tej se “ky projekt është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030, ku një ndër qëllimet strategjike është fuqizimi i rendit publik dhe rritja e parametrave të sigurisë në komunitet”.
“Në këtë projekt, zë një vend të rëndësishëm edhe aplikimi i inteligjencës artificiale. Thënë kjo, ky sistem i ri që duam të aplikojmë, është në të njëjtin hap me disa nga qytetet më të zhvilluara në botë. Koncepti i “Smart City-t”, pra “Qytetit Inteligjent”, do të përdoret për herë të parë në Shqipëri dhe përfitues do të jetë drejtpërdrejt ose tërthorazi e gjithë shoqëria shqiptare”, u shpreh ministri.
Sipas ministrit “ajo çka do të jetë e dukshme për sytë e publikut, do të jenë kamerat me rezolucion shumë të lartë, radarët në rrugë, sensorët e ndryshëm përfshirë edhe ata për zhurmat si dhe pajisje të tjera inteligjente”.
Ministri theksoi se “në krye të herës, ky projekt u nis për të fuqizuar sigurinë e qarkullimit rrugor. Por rrahja e mendimeve mes ekspertësh dhe në shkëmbime mendimesh me partnerët tanë, u pa e udhës që koncepti “Smart City” të zgjerohet më tej, sidomos në zonat me ekspozim të veçantë të publikut, ku në radhë të parë janë mjediset shkollore, sheshet më të frekuentuara, kryqëzimet etj. Rrjedhimisht prej këtij zgjerimi të konceptit do të kemi një fuqizim të sigurisë publike dhe forcim të të gjithë punës policore sidomos për parandalimin e ngjarjeve”.
Sipas ministrit “negociatat e Marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”, teknikisht i kanë zhvilluar ekspertët e Ministrisë së Financave, pavarësisht se përfitues do të jetë Ministria e Brendshme, më saktë Policia e Shtetit”.
Hoxha tha më tej se ky projekt është vërtet një risi teknologjike për ne, por njëherësh një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë për sigurinë rrugore dhe atë publike.
“Aplikimi i risive teknologjike, përdorimi i pajisjeve të fjalës së fundit të shkencës, sjell logjikisht edhe rritje të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Tashmë kundërvajtjet në rrugë do të analizohen nga një program kompjuterik, pa pasur nevojë të debatojnë ekspertët e qarkullimit rrugor”, tha Hoxha.
“Në këtë mënyrë shmangim çdo dyshim që mund të jetë i arsyeshëm ose jo edhe nga ana e qytetarit të thirrur në kauzë. Projekti “Smart City” është gjithashtu në përputhje të plotë me vizionin e qeverisë për të digjitalizuar shërbimet dhe praktikat e administratës”, u shpreh ministri.
Burimi ATSH