
“Paketa e maleve”, Gonxhja: Nxitje ekonomisë dhe turizmit malor
Ministri i MEKI: Ndiko në promovimin e produkteve “Made in Albania”

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja vlerësoi se projektligji për “Paketën e maleve”, do të sjellë qasje alternative për nxitjen e ekonomisë dhe turizmit malor, që ka mbetur pas zhvillimit të turizmi që ka njohur një hov vitet e fundit në të gjithë zonat urbane dhe vijën bregdetare, duke rritur punësimin dhe të ardhurat.
Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, ku i diskutua “Paketa e Maleve” Gonxhja tha se projektligji merr përsipër zgjidhjen e problemeve me pronësinë duke i hapur rrugë investimeve në zonat malore të Shqipërisë.
Ky ligj theksoi ai, synon pajisjen me tituj pronësie të të gjithë atyre që kanë një lidhje trashëgimie me pronën që duan të zhvillojnë. Gjithashtu inkurajon banorët vendas të investojnë në tokat e tyre, krahas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë rurale, duke ndikuar në promovimin e produkteve “Made in Albania”, dhe zgjeruar hartën turistike.
“Projektligji i propozuar është i pajisur me të gjitha mekanizmat për të mbrojtur të drejtën e pronësisë e për të minimizuar konfliktet e mundshme të pronësisë. Pasuritë e regjistruara në emër të shtetit e të transferueshme përmes këtij ligji, përveç ekzistencës së një projekti zhvillimi, duhet të plotësojnë edhe disa kushte të tjera, si: të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme; të mos i shërbejë operacionalitetit të Forcave të Armatosura; të mos rëndojnë mbi të drejta të palëve të treta; të mos jetë objekt i fitimit të pronësisë sipas ligjeve të tjera të posaçme; të mos ketë mbi të vendim për kthimin apo kompensimin fizik të ish-pronarëve”, deklaroi Gonxhja.
Sipas tij, ky pr/ligj nuk do të zbatohet në të gjithë territorin e vendit, por vetëm në “zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, të cilat do të shpallen me VKM me propozim të bashkive.
Gonxhja vuri në dukje se, pr/ligji ngarkon bashkinë për të kryer verifikimet në terren dhe verifikimet administrative me ATP apo ASHK dhe pas miratimit të Këshillit Bashkiak, poseduesit jopronar i lind e drejta të aplikojë për Leje Zhvillimi, e cila miratohet nga KKTU.
Pas pajisjes me Leje Zhvillimi, poseduesi paraqet pranë MEKI kërkesën për blerjen e sipërfaqes me tarifën simbolike 1 euro, duke paraqitur edhe projektin për zhvillimin e pronës.
Gonxhja tha se, për të nxitur edhe më tej zhvillimin e zonave malore, ky projekt-ligj parashikon edhe disa lehtësi fiskale (për një periudhë 10-vjeçare) për subjektet që përfitojnë pronësinë e tokës sipas këtij ligji, si përjashtim nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë, përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme, përjashtim nga TVSH, përjashtim nga tatimi i fitimit.
Ai u shpreh se, “Paketa e Maleve synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit, duke ruajtur peizazhin natyror, trashëgiminë kulturore dhe identitetin lokal në këto zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”.
“Objektivi kryesor i këtij projektligji është që këto pasuri të shndërrohen në vlera të çmuara për ekonominë e vendit, duke promovuar zhvillimin ekonomik, kthimin e investimeve direkte nga diaspora dhe rritjen e cilësisë së jetesës së banorëve nëpërmjet mundësive të reja për ekonominë familjare dhe kualifikimeve profesionale”, deklaroi Gonxhja.
Burimi ATSH