
Tragjedia në MV, Rama: Pa fjalë, Shqipëria e gatshme për çfarëdo ndihme
Së paku 50 persona kanë humbur jetën në një zjarr në një klub nate të shkaktuar nga mjetet piroteknike në qytetin e vogël të Koçanit të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për tragjedinë e madhe të Koçanit në Maqedoninë e Veriut, ku si pasojë e një zjarri në një klub nate humbën jetën të paktën 50 persona.
“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme”, shkruan kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama i përcolli po ashtu kryeministrit Hristijan Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, “duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”.
Së paku 50 persona kanë humbur jetën në një zjarr në një klub nate të shkaktuar nga mjetet piroteknike në qytetin e vogël të Koçanit të Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësia ndodhi në Koçan, rreth 100 kilometra në lindje të kryeqytetit Shkup, ndërsa një grup i njohur vendas po performonte në klubin e natës.
Ka pasur edhe një numër të madh të personave të plagosur duke tejkaluar kapacitetin e spitalit të qytetit, duke bërë që shumë prej të lënduarve të dërgohen në kryeqytet, Shkup.
Burimi ATSH