“AGONIA” – Roman tronditës postmodern

Romani i Odise Kotes, “Agonia”, si roman postmodern nxit tek lexuesi reflektimin kompleks


Nga MSc. Desela Nuredini

I konceptuar si një roman postmodern, “Agonia”, vëllimi më i fundit i autorit Odise Kote, i ofrohet lexuesit jo të thjeshtë, por lexuesit “hetues”, i cili duhet të mos ndalet vetëm në rrafshin sintagmatik të konceptimit të vendosjes së fjalëve, por duhet të lidhë paradigmatikisht njësitë për të zbërthyer lidhjet me asosacionet semantike përkatëse.

Kote, i kërkon lexuesit të qëmtojë, jo të lexojë duke mos mbetur thjesht lexuesi pasiv që i rrëfehet një ngjarje në një periudhë të caktuar kohore, rreth së cilës duhet të zbulojë personazhe, rrëfime reale, dhimbje të shkaktuara prej vetë njeriut, por përmes manipulimit të kohës, hapësirës i “ngatërron” atij realitetin e jashtëm me të brendshëm të vetë kohës së ndodhisë, thyen rregullat e romanit duke i tërhequr vëmendjen mbi procesin e interpretimit të tekstit.

“Agonia”, si roman postmodern nxit tek lexuesi reflektimin kompleks, duke paraqitur përpara tij problematika të botës bashkëkohore, por duke i shprehur jo drejtpërdrejt, por përmes personazheve të tij refleksione personale:
“… Ne nuk kemi drama të shkruara si ato të Shekspirit për Hamletin, për mbretin danez, por dramat tona të përditshme janë më të errëta, më të vërteta, ku e ku më të tmerrshme se dramat e letërsisë…Vetëm sakrifica sublime mund të sjellë atë forcë, atë fuqi mendore që duhet për t’i shkruar ato.” (fq. 160)
Përmes citimit të mësipërm duket se Kote i kërkon lexuesit bashkëkohës, por edhe atij që më pas do të mund të ketë në dorë vëllimin e tij, se ngjarja e rrëfyer është reale, kufijtë mes legjendës dhe realitetit zhduken, kur bëhet fjalë për individin dhe fatin e tij të ankthshëm të ekzistencës. Besimin tek lexuesi dhe idenë e vërtetësisë së ngjarjes e krijon përmes fjalëve të Bojken Kostanit thënë të dashurës së tij gjermane Keti Braumfisher:
“Njeriu i thjeshtë pranon fotografinë, me kusht që fotografi të ketë qenë atje,- vijonte Bojkeni,- jo vetëm kur është shkrepur aparati. Ai kërkon të ruajë raport të drejtë mes fotografisë dhe të vërtetës…. Nuk na duhet një fotografi ku kufiri mes autentikes, kopjes dhe trillimit ndonjëherë nuk ekziston fare.Ai është thjesht një manipulim.”(fq. 73)

Fabula e romanit nuk mbetet thjesht një histori reale e vitit të mbrapshtë 1997, atëherë kur Shqipëria dhe shqiptarët duket se humbën realitetin dhe mbetën përjetësisht brenda një irealiteti “fajdexhinjsh”, përmes të cilëve do të mund të shumëfishonin të ardhurat, ajo mplekset me historinë e dashurisë së Bojken Kostanit dhe Keti Braumfisher, por “mbështillet” edhe prej misticitetit të legjendës e cila duket se e ngatërron lexuesin me parakohësinë e ndodhisë së ngjarjes.

Gerard Genett flet për pseudo-kohën si një lloj loje narrative. Kjo teknikë përdoret në rrëfimet e ndryshme në formën e retrospektivës në të cilën rrëfimtari duke u gjendur në një hapësirë të caktuar kohore, flet për kujtimet e tij, duke krijuar kështu një tjetër hapësirë kohore atë të së shkuarës konkretisht së pakryerës edhe pse koha për lexuesin është ajo në të cilën gjendet rrëfyesi. Për të qenë më e qartë për lexuesin e thjeshtë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një gazetar të mirëfilltë siç paraqitet Bojken Kostani, por me një përmitues të legjendave të cilit i pëlqen të fotografojë, mbajë shënime, por edhe të lidhë të shkuarën e fatit të individit, konkretisht të një populli siç janë shqiptarët me të tashmen për të arritur në përfundimin se fija lidhëse e të shkuarës me të tashmen është agonia e njeriut, përmes të njëjtit fat i cili duket se qerthullon pa gjetur një pikëkrye e pikëfundi, duke justifikuar në mënyrë të tillë edhe “marrëzinë kolektive” të asaj periudhe:
“Shpesh kemi vuajtur tepër dhe në jetë na kanë munguar shumë gjëra. Shpesh kemi nisur nga fillimi. Për këtë arsye kemi ngutje, nxitim, e padurim për të rifituar kohën e humbur, për të rifituar standard, pasuri” (fq. 364)

Loja intertekstuale “dekonstrukstioniste”, përmes citimit të autorëve të tjerë në fushën e letërsisë apo teksteve të tjera duket se është një ndër elementët e tjerë postmodernistë të Kotes: “O udhëtar, pyetmë përse jam ngulur kështu në tokë!Përse nuk çlirohem dot nga barra e brengës? Pyetmë për nusen e legjendës…Ngrirjen e krushqve. Edhe për hingëllimën ngjethëse të kalit, për krifën e tij të përgjakur. Pyetmë!” (fq.8)
“Një herë i kishte folur gjatë për kuptimin e ri të mitit të Orfeut.
-A zbriti vërtet Orfeu në Had të takonte të dashurën e tij për ta ringjallur, e pyeti, – apo kjo thjesht ishte një alibi e tij?” (fq.70)

Kote si autor duket se e njeh mirë personazhin e tij Bojken Kostani, ose më saktësisht Bojkeni, si personazh bart ne thelbësinë e tij elementë që Kote si autor-gazetar ka dashur t’ia bëjë me dije lexuesit të tij. Si autor ai di gjithcka rreth personazhit, aq sa në sekuencat e para të romanit duket i ravijëzon lexuesit detaje të tijat si gazetar duke u njëjtësuar me protagonistin: “Gazetar i ftohtë, këmbëngulës,i mprehtë, punëmbaruar.Në trurin e tij nuk kishte trazim, hutim,halucinacion,errësim të ndërgjegjes, gjë që ishte e vështirë të shmangej.” (fq.10)
“Nuk besonte kollaj.Huqet e gazetarit të rafinuar, intuita,syri i mprehtë dhe shpejtësia e procedimit të saktë mbi lëndën e përzgjedhur u bënë natyra e tij e përditshme…” (fq.11)

Bojkeni, sipas këndvështrimit tim i ndërtuar me elementë autobiografikë të vetë autorit Kote, rrëfen historinë e tij të jetës përmes intertekstualitetit apo ndërtekstorësisë e cila lidhet me marrëdhëniet që krijon një tekst i mëparshëm me tekstet e tjera pasuese. Kjo ndodh kur kemi referenca të sakta të citimeve të qarta duke filluar nga teksti burimor. Kote si autor përdor si elementë të intertekstualitetit rishkrimet,të cilat janë “ekzekutime” të një teksti burimor, interpretime, të cilat prodhojnë një tekst të ri, hipertekst, i cili, vetëm në fillim mbetet i lidhur me tekstin burimor, por nuk përkon me të më pas. Bojkeni personazhi kryesor do të shprehej në roman: “Ankthi është liri e penguar” (fq.158), duke sugjestionuar lexuesin rreth qëndrimit që ai mban në lidhje me legjendën e Bredhmajës, në të cilën kalorësi Dardan shkon në emër të djalit nga Kamencka, kandidatit për dhëndër, të kërkojë dorën e vajzës, por mes tij dhe Bredhmajës ka ndodhur “turpi”- tradhëtia, të cilën autori vetëm e aludon duke mos i dhënë lexuesit saktësi të ngjarjes. Sekuenca e ndërtuar përmes një tërësish pyetjesh, zbulon tek lexuesit pikëpyetje të cilat vetë Kote duket se i zbërthen, jo tek legjenda mbi të cilën autori mbështet e që mbart shumë pikëpyetje rreth fundit të saj, por tek asosacionet që krijohen me jetën e Bojken Kostanit.

Ky i fundit e zbret fantazmën e Bredhmajës në periudhën e ngjarjeve në roman kur shprehet:
“Në një teatër të sotëm, diku në Tiranë,në Korcë,është fantazma e Bredhmajës ajo që lëviz tani sa nga njëri park të dashuruarish, në tjetrin, në kërkim të hakmarrjes.”(fq.160)
Nuk nguron personazhi Kostani, të evidentojë edhe qëndrimin e tij e që duket se është edhe i vetë autorit Kote lidhur me “parabolën e përjetshme të ankthit” (fq.160):
“…E para vjen fantazma që sjell ankthin.Skena është e ndryshme dialogët gjithashtu.Më të mërzitshëm.Fantazma bashkë me ankthin ka dhe planin e hakmarrjes.Spektatorët ndonjëherë bëjnë zhurmë pa vrarë shumë mendjen.Emrat e personazheve janë të tjerë, po fabula mbetet e njëjtë.Më pas nis e pashmangshmia, ajo që pritet.Realizimi i hakmarrjes.A nuk u hakmorr gjarpëri i zi në Kamenckë?…E shkretoi fshatin….A nuk ndodh kështu edhe me dramën e Shekspirit, kur ai dërgon në muret e kështjellës fantazmën e Hamletit?” (fq.161)
“Historia nuk kërkohet, as përsëritet dy herë, ndodh sa hap e mbyll sytë”,(fq.343) shprehet Kote, përmes rrëfimit të protagonistit,duke i dhënë më pas lexuesit një skenë po aq turpëruese dhe të ankthshme, atë të sulmit që pësojnë Keti Braumfisher dhe Bojken Kostani ndërsa po ktheheshin për në Tiranë, nga një grup burrash të armatoaur.

Përmes leximit të veprës, zbulohet se Ketit i pritet gishti për një unaze, ndërsa Bojkeni shpëton me një goditje në kokë përmes së cilës humbet vetëdijen.”Turpi” i shfaqet lexuesit jo si një ndjenjë vetjake, por si “turpërim njeriu” (fq.350) duke u konceptuar si një e keqe sociale.

Agonia e njeriut ekzistencialist, mes dëshirës për të jetuar, por edhe vdekjes bashkëshoqëruese, besimit në Zot dhe dyshimit se ai ekziston,”mpleksur” me legjenda, mite, apo personazhe arketipe të autorëve të njohur të letërsisë duket se zbërthen tek lexuesi fatin e individit përtej barrierave të kohësisë, por në një kohësi të përjetshme agonie, ashtu siç është edhe fati i individit.

Lexo më shumë nga

“AGONIA” – Roman tronditës postmodern

Romani i Odise Kotes, “Agonia”, si roman postmodern nxit tek lexuesi reflektimin kompleks

Global 360

Mbyllet Zëri i Amerikës

Biberaj: Kapitull i trishtuar në historinë e angazhimit të SHBA me botën

Diplovista

Rama për median greke: Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar

Ligji absurd i luftës duhet shfuqizuar, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin grek ”MegaTV”, pjesë të së…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“AGONIA” – Roman tronditës postmodern

Romani i Odise Kotes, “Agonia”, si roman postmodern nxit tek lexuesi reflektimin kompleks