
Përse ka vetëm këmbana lufte? – Ukraina dhe dilemat e Evropës
Lufta në Ukrainë ka tronditur themelet e sigurisë në Evropë dhe ka ngjallur debate të forta mbi rolin e kontinentit në skenën ndërkombëtare.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Lufta në Ukrainë ka tronditur themelet e sigurisë në Evropë dhe ka ngjallur debate të forta mbi rolin e kontinentit në skenën ndërkombëtare. Përballë një konflikti që duket se drejtohet kryesisht nga interesat miliardash, Evropa gjen veten në një pozitë të pasigurt dhe të dobësuar, pa një strategji të qartë ose drejtim të fortë politik. Kjo situatë ka nxjerrë në pah pyetje kritike në lidhje me autonominë e Evropës, kapacitetin e saj për të udhëhequr në mënyrë të pavarur dhe për të afirmuar vlerat e saj të paqes dhe bashkëpunimit. Me ardhjen e Donald Trump në pushtet, shumë dinamika globale kanë ndryshuar, ose kështu të paktën duket! Debatet në Bashkimin Evropian theksojnë nevojën për një qasje të re dhe të pavarur ndaj konfliktit dhe sfidave globale, duke promovuar një politikë të jashtme që i jep përparësi dialogut dhe ndërtimit të paqes, në vend të militarizmit dhe varësisë.
Ukraina si simbol i një mendësie të rrezikshme
Lufta në Ukrainë është bërë një nga krizat më të mëdha gjeopolitike të shekullit të 21-të. Përderisa konflikti shpesh përshkruhet si një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë, është gjithnjë e më e qartë se dinamika shtrihet shumë përtej këtyre dy kombeve. Ajo ka ekspozuar ndarje të thella brenda komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me rolet e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Ndërsa konflikti shpaloset në tokën evropiane, kontinenti e gjen veten në një pozitë të pasigurt, duke u përballur me identitetin, aleancat dhe të ardhmen e tij.
Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës/Foto nga VCG
Një nga vëzhgimet më të habitshme është se lufta duket se drejtohet kryesisht nga iniciativat amerikane, ku Evropa luan një rol dytësor në vendimmarrje. Kjo ngre pyetje të rëndësishme aftësinë për të formësuar fatin e saj. Për dekada, Evropa është mbështetur tek Shtetet e Bashkuara për siguri dhe udhëheqje. Megjithatë, lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah rreziqet e kësaj varësie. Ndërsa SHBA-ja ka marrë një qëndrim proaktiv në Ukrainë, Evropa shpesh është lënë mënjanë, pavarësisht se ka mbartur peshën kryesore të pasojave të konfliktit. Ky çekuilibër e ka lënë Evropën në një pozitë të vështirë, të pasigurt për drejtimin e saj dhe duke luftuar për të ngritur zërin e saj në skenën globale.
Mjafton të shohim Parlamentin Evropian, ku fokusi dërrmues te lufta dhe përdorimi i forcës si zgjidhje janë rendi i ditës. Kjo linjë është në kontrast të plotë me parimet dhe normat ndërkombëtare ku dialogu, diplomacia dhe zgjidhja paqësore e konflikteve duhet të kenë prioritet. Diskursi aktual në Parlamentin Evropian është shqetësues, pasi duket se e anashkalon rëndësinë e këtyre vlerave. Ndërsa mbështetja ushtarake për Ukrainën është padyshim e nevojshme në afat të shkurtër, ajo nuk mund të jetë fokusi i vetëm. Një zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit do të kërkojë një përkushtim ndaj diplomacisë, diçka që duket se i mungon bisedës aktuale.
Lufta në Ukrainë ka ekspozuar gjithashtu brishtësinë e paqes në Evropë. Për dekada, kontinenti gëzonte stabilitet relativ, kryesisht falë rendit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe përpjekjeve të institucioneve si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Megjithatë, konflikti i Ukrainës e ka shkatërruar këtë ndjenjë sigurie, duke na kujtuar se paqja nuk është diçka që ekziston pa limit, por diçka që duhet të ushqehet dhe të mbrohet në mënyrë aktive. Ky realizim kërkon një rimendim themelor se si i qasemi doktrinave të konfliktit dhe paqes. Duhet shkuar përtej fokusit të ngushtë në zgjidhjet ushtarake dhe të përqafojmë një qasje që trajton shkaqet rrënjësore të konfliktit, promovon dialogun dhe nxit pajtimin.
Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës/Foto nga VCG
Bashkimi Evropian, e ka shfaqur vetën ndër dekada si një kampion bashkëpunimi dhe ka një rol unik për të luajtur në këtë drejtim. BE duhet të marrë një rol më aktiv në nxitjen e paqes, jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë kontinentin. Kjo do të kërkojë një ndryshim në mentalitet, nga shikimi i paqes si mungesë e luftës në shikimin e saj si një proces proaktiv dhe të vazhdueshëm.
Bashkimi Evropian duhet të ngrihet në këmbë dhe të udhëheqë me shembull, duke demonstruar se paqja nuk është vetëm e mundur, por edhe e arritshme përmes dialogut. Lufta në Ukrainë ka ekspozuar të meta të thella në sistemin ndërkombëtar dhe ka nxjerrë në pah nevojën për një qasje të re për zgjidhjen e konflikteve. Evropa, si viktimë dhe si udhëheqëse e mundshme në këtë krizë, ka një rol kritik për të luajtur. Ky konflikt po zhvillohet në tokën evropiane, duke e vendosur Evropën në një pozitë shumë të vështirë dhe të rrezikshme. Mungon një strategji e qartë ose drejtim.
Jeffrey Sachs në Parlamentin Evropian: Gjeopolitika e Paqes
Jeffrey Sachs është një ekonomist, profesor dhe këshilltar i liderëve botërorë i njohur globalisht, për ekspertizën e tij në zhvillimin e qëndrueshëm dhe reformën ekonomike dhe politike. I lindur në vitin 1954, ai ka këshilluar qeveritë anembanë globit, duke përfshirë Amerikën Latine, Evropën Lindore dhe Afrikë, duke ndihmuar në trajtimin e hiperinflacionit, krizave të borxhit dhe varfërisë.
Në fund të shkurtit 2025, Sachs mban një fjalim në Parlamentin Evropian, dhe prej shumë analistëve është cilësuar si një nga më të rëndësishmit që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ka gjetur jehonë të thellë te audiencat në të gjithë botën. Duke analizuar përtej zhurmës së propagandës dhe ndarjeve ideologjike ai paraqiti një analizë të nuancuar të skenës aktuale gjeopolitike, e rrënjosur në dekada përvoje dhe një kuptim të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Një nga aspektet më të mprehta të fjalimit të Sachs ishte përkushtimi i tij i patundur për paqen.
Fjalimi i Sachs nuk ishte thjesht një kritikë e politikave aktuale, por edhe një thirrje për veprim. Ai i bëri thirrje udhëheqësve evropianë të adoptojnë një qasje më të pavarur dhe parimore ndaj politikës së jashtme, që të prioritizojë paqen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin dhe ndarjen. Aftësia e tij për të kombinuar njohuri historike, rigorozitet intelektual dhe qartësi morale e ka bërë atë një nga zërat më ndikues të kohës sonë.
Sachs shpreh në Strazburg se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një forcë drejtuese dhe shkaktuese e luftërave në mbarë botën për më shumë se 30 vjet, dhe Evropa ka paguar një çmim të lartë për këtë. Kontinenti evropian nuk ka pasur një politikë të jashtme të qartë gjatë kësaj periudhe. Në vend të kësaj, ka ndjekur me bindje udhëzimet e SHBA-së, pa patur një zë të pavarur, unitet, apo interesat e veta. Ka pasur momente kur Evropa ka treguar pak kundërshtim. Një shembull i rëndësishëm ishte në vitin 2003, kur Franca dhe Gjermania kundërshtuan luftën e Irakut, duke refuzuar të mbështesnin SHBA-në për të anashkaluar Këshillin e Sigurisë të OKB-së.
Sachs ka qenë personalisht në shumë tavolina të rëndsishme negociatash dhe shprehet se në fillim të luftës në Ukrainë, Presidenti Zelensky deklaroi se vendi ishte gati për neutralitet, duke e bërë të mundur një marrëveshje paqeje me Rusinë. Negociatat u zhvilluan në pranverën e vitit 2022, me ndërmjetësimin e Turqisë. Rusia miratoi një dokument që Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e prezantoi, dhe negociatorët kryesorë nga të dy palët po shkonin drejt një marrëveshjeje. Megjithatë, Ukraina vendosi të tërhiqet papritur nga këto negociata. Sipas Sachs, arsyeja kryesore për këtë vendim ishte presioni nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, me Boris Johnson që udhëtoi në Kiev për të forcuar mesazhin se Ukraina duhej të vazhdonte luftën, pasi në rrezik nuk ishte vetëm Ukraina, por “hegjemonia e Perëndimit,” kjo e shprehur në dokumenta. Pasi Shtetet e Bashkuara këshilluan Ukrainën që të tërhiqej nga negociatat, konflikti vazhdoi, duke shkaktuar viktima të mëdha. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se një milion ukrainas kanë humbur jetën ose janë plagosur rëndë. Projekti i SHBA-së për Ukrainën, i cili mbështetej në idenë se Rusia do të dorëzohej nën presionin ekonomik dhe ushtarak, ka dështuar thotë Sachs.
Në një takim në Vatikan në pranverën e vitit 2022, një grup ekspertësh, përfshirë Sachs dhe Michael von der Schulenberg, hartuan një dokument ku argumentuan se vazhdimi i luftës do të sillte vetëm vdekje masive, rrezik përshkallëzimi bërthamor dhe humbje të mundshme të luftës për Ukrainën. Edhe pse ky dokument nuk u mor parasysh, argumentet e tij mbeten të vlefshme sot thotë Sachs, “3 vite pas nuk do ndryshoja asnjë fjalë.”
Në vitin 2025 Donald Trump nuk dëshiron të trashëgojë një situatë humbëse, dhe pikërisht për këtë arsye ai dhe Putin ka gjasa të bien dakord për t’i dhënë fund luftës. Edhe nëse Evropa vazhdon me retorikën e saj luftënxitëse, nuk do të ketë rëndësi; lufta po mbaron. Mesazhi është i qartë: “Mbaroi.” Kjo përfundon sepse Trump nuk do të mbajë një situatë humbëse me vete, shprehet profesori amerikan. Në të njëjtën kohë, Trump e sheh botën në termat e fuqive të mëdha dhe dominimit të tyre. Politika e jashtme amerikane do të jetë e ashpër dhe cinike, përfshirë edhe ndaj Evropës. Evropa ka nevojë për një politikë të re të jashtme që të kuptojë realitetet e Rusisë, të Evropës dhe të ShBA-së,
Kina nuk është armiku!
Sa i përket Kinës, Kina nuk është armik, por një histori suksesi. Suksesi i saj ekonomik e ka bërë ShBA-në të shohë Kinën si një kërcënim, por Evropa nuk duhet të ndjekë të njëjtën qasje. Kina është një partner natyral për tregti dhe për mbrojtjen e mjedisit global, përfundoi Sachs.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi foli qëndrimin e Kinës në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Në prill të viti 2022, pesë javë pas hyrjes së trupave ruse në Ukrainë kam shkruar një artikull për pozicionin e Kinës në këtë konflikt, Kriza në Ukrainë dhe disa fjalë kyçe të Kinës rreth konfliktit aktual. [i] Ashtu sikurse profesor Sachs, tre vite më pas nuk do të ndryshoja asnjë fjalë pasi koha konfirmoi atë shkrim, përtej kritikave të të zellshmëve brenda dhe jashtë Shqipërisë asokohe.
Citim: Që prej datës 24 shkurt 2022 Evropa nuk është më e njëjta. Shpërthimi i konfliktit Rusi-Ukrainë nuk është një ngjarje e mbetur vetëm brenda kufijve të tyre përkatës; degëzimet e saj janë të paprecedentë për të gjithë kontinentin e Evropës dhe më gjerë. Përveç çmimit tragjik njerëzor të përfshirë, kjo krizë kërcënon të shkundë në themele ekonominë globale, zinxhirët botërorë të furnizimit dhe të ripërcaktojë pabarazitë dhe ndarjet gjeopolitike. Për mëse një muaj është përfolur dhe pyetur se ku qëndron Kina në këtë konflikt? Ose më saktë, në anën e cilës palë qëndron Pekini zyrtar? – Më shumë se përgjigje, janë vënë re spekulime, aludime dhe hamendësime. Në mënyrë që situata të jetë më e qartë, është e udhës të merren për referencë burimet zyrtare kineze, dhe jo analiza gjeopolitike të bëra mijëra kilometra larg epiqendrës së vendimmarrjes së Kinës. Po të bëjmë një panoramikë të më shumë se një muaji në retrospektivë, reagimi i Kinës mbi këtë konflikt ka qenë i qartë dhe nuk ka vend për ambiguitete.
Fjalë kyçe 1: Kina promovon përherë paqen
Fjalë kyçe 2: Shmangni përshkallëzimin e konfliktit
Fjalë kyçe 3: Platforma e duhur për dialog është OKB-ja
Fjalë kyçe 4: Pozicion i hapur, transparent dhe konsistent
Fjalë kyçe 5: Kjo situatë nuk është në interes të Azisë dhe Evropës
Fjalë kyçe 6: Pozicion objektiv dhe i paanshëm
Fjalë kyçe 7: Iniciativa konkrete humanitare
Fjalë kyçe 8: Kina është në anën e duhur të historisë
Fjalë kyçe 9: Një fuqi e madhe e përgjegjshme duhet të punojë për të ulur tensionet
Fjalë kyçe 10: Ai që i lidhi zilen tigrit duhet t’ia heqë atë
Dhe në Shkurt të vitit 2025 ata që i lidhën zilen tigrit po i heqin zilen me një fije telefoni sikur asgjë nuk ka ndodhur. Por, shumë ka ndodhur, miliona jetë të shkatërruara, fizikisht, shpirtërisht edhe ekonomikisht. Kush e pagoi faturën e kësaj lufte? – Ne, të gjithë ne.
Së fundmi, lufta bëhet biznes, biznesit i duhen klientë dhe klientët janë shtetet e dobëta. Ky biznes ka si valutë transaksionesh gjakun e të pafajshmëve dhe rrenimin ekonomik të të pambrojturve. Si në ligjin e xhunglës, ku sa më e egër të jetë gjallesa aq më shumë do të marrë nga natyra, ashtu edhe në skenën ndërkombëtare sot. Nuk është se jemi kthyer tek aksioma homo homini lupus [njeriu është ujk për njeriun] ashtu ka qenë përherë, thjeshtë për disa dekada e kanë shitur realitetin e ri në sheshin narrativ global si piedestali e vlerave dhe në emër të vlerave – tashmë thjeshtë se beson më askush, as ata që e thonë me zë të lartë vetë. Për sa i përket Evropës, do të nxjerr nga konteksti ekonomik disa fjalë të Mario Draghit dhe do i vendos në kontekstin gjeopolitik. Duke ju drejtuar liderëve evropianë ai tha “Ju kam thënë bëni versionin e shpëtimit, jo – ju kam thënë aplikoni versionin e bashkimit të ideve, ju sërish thatë jo – tani që situata është alarmante më pyesni çfarë të bëjmë….nuk e di çfarë duhet të bëni, por duhet të bëni diçka!”
[i] CMG, China Media Group (5 prill 2022). Kriza në Ukrainë dhe disa fjalë kyçe të Kinës rreth konfliktit aktual.
https://albanian.cri.cn/deep/more/3098/20220405/747367.html
Burimi CGTN