
Rama: Në këto zgjedhje vlen historia e shqiptarëve me të shkuarën dhe të ardhmen
Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë takimit në selinë rozë me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, se integrimi në Bashkimin Evropian është çështje jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë takimit në selinë rozë me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, se integrimi në Bashkimin Evropian është çështje jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Nga se rrezikohet kjo. Dikush mund të thotë që të gjithë këtu duan ta çojnë Shqipërinë në BE dhe këneta BE, BE, BE thotë gjithë ditën. Bretkosat BE-në kanë në dorë. Përse duhet të shkojë vota tek PS? E thashë dhe më parë, ky është një moment në histori, kjo është një dritare e hapur, ky është një tren që është para nesh në stacion dhe ka ndaluar në një kohë të caktuar, koha është viti 2027.
Na është pranuar, dhe kemi dakordësuar që deri në fund të vitit 2027 do të mbyllim negociatat. Negociatat s’janë as komente në FB, as postime në TikTok, as analiza “rroma përtoma” në klubet e natës. Nuk janë as fjalime, por negociatat janë një punë për të qëruar oriz. Në çdo ligj, në çdo nen, në çdo sektorë dhe një punë për të provuar se çdo gjë që shkruhet bëhet”, u shpreh Rama.
Kryeministri u shpreh se për procesin e integrimit janë të angazhuara 40 skuadra të pushtetit ekzekutiv dhe rreth një mijë persona nëpër zyra që punojnë pikërisht për këtë proces.
“Pra, janë një punë e përditshme. Janë 1000 vetë sot, ne jemi këtu duke folur për zgjedhjet, 1000 vetë janë në zyra, që punojnë për negociatat. Janë 40 skuadra nga pushteti ekzekutiv, nga pushteti gjyqësor, nga agjencitë e tjera të pavarura, që janë të angazhuara për negociatat. Dhe asnjë lëkundje, asnjë ndalim i kësaj pune. Asnjë çoroditje nuk duhet lejuar të ndodhi. Kjo është përtej të gjithave. Prandaj 11 maji duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për t’i thënë kësaj skuadre vazhdoni punën sepse asgjë nuk lëviz, drejtimi nuk lëviz, koha shfrytëzohet minutë për minutë dhe gjërat siç janë parashikuar, bëhen afat për afat. S’ka mundësi t’i shpjegosh BE-së, se u bënë zgjedhjet dhe se ka një situatë, nuk ka mundësi. Ky është një moment që çdo shqiptar duhet ta ndjejë se është pjesë e këtij procesi dhe thjesht me votën e vet. Si kërkohet të shkojë në zyrë, apo tek dyqani dhe të punoj për negociata, por i kërkohet që me votën e vetë të garantojë punën që bëhet për negociata.
Me hyrjen e Shqipërisë në BE, Shqipëria bëhet sa Evropa dhe Evropa bëhet sa Shqipëria. Siç shkojmë nga Shkodra në Korçë, me të njëjtën lehtësi do të shkojmë nga Portugalia në Poloni nga Shqipëria në Suedi dhe askush nuk do na ndalojë, askush nuk do na e bëjë rastin e jetës, se kur jemi të rinj dhe duam të rrimë atje se ndryshe nuk na jepet mundësia të shkojmë prapë. Kthehemi shkojmë prapë, provojmë, kthehemi. Ndryshon komplet perspektiva, këto janë zgjedhjet e 11 majit në thelb”, theksoi Kryeministri.
“Për këtë arsye ne duhet të bëjmë çmosin që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të mirë të të gjithë kësaj serie fitoresh, 9 radhazi. Në 11 maj kemi radhën e dhjetë dhe duhet të marrim një fitore me notën 10 duke filluar nga Tirana ku qielli duhet të jetë kufiri. Llogaritë aritmetike nuk vlejnë në këto zgjedhje, në këto zgjedhje vlen historia e shqiptarëve me të shkuarën dhe të ardhmen. E ardhmja si asnjëherë më parë është e materializuar në këto zgjedhje me një votë, sepse na duhet një vit e gjysmë jo më shumë për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe një vit 2027 për të përmbyllur gjithçka dhe pastaj dhe vetëm parlamentet e vendeve të tjera që do të jetë ngjarje emocionale dhe historike më vete, 27 ngjarje ku çdo parlament do votojë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së dhe do çohen në këmbë dhe do të duartrokasin Shqipërinë. Çdo parlament i Evropës”, vijoi Rama.
Burimi ATSH