
Progresi i Shqipërisë në BE, Hasani takon homologun Barrot në Paris
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani ka zhvilluar një takim sot me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, Jean-Noël Barrot.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani ka zhvilluar një takim sot me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës, Jean-Noël Barrot.
Në fokus të takimit kanë qenë një serë temash me rëndësi lidhur me marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona, avancimin e projekteve të rëndësishme në sektorë të ndryshëm, zhvillimet rajonale, bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe Komuniteti Politik Evropian.
Të dyja palët kanë vlerësuar dialogun e fortë politik që ekziston aktualisht me Shqipërisë dhe Francës, i reflektuar ky edhe nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë të kohëve të fundit.
Takimi ishte gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar rreth rrugëtimit evropian të Shqipërisë ku Ministri Hasani gjeti rastin të shprehë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e pakursyer franceze gjatë këtij rrugëtimi. U vlerësua përparimi i bërë deri tani nga Shqipëria në realizimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të BE-së, ndërsa Hasani nënvizoi se vendi ynë mbetet i përkushtuar të arrijë objektivin e anëtarësimit në BE brenda vitit 2030.
Takimi u përqendrua gjithashtu edhe në disa çështje strategjike, përfshirë Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili do të zhvillohet më 16 maj 2025 në Tiranë, si dhe situatën e sigurisë në Evropë. Të dy ministrat theksuan rëndësinë e këtij Samiti si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të nxitur angazhimin e përbashkët për stabilitetin dhe paqen.
Në lidhje me këtë samit, Ministri Igli Hasani u shpreh se “fakti që zhvillohet në vendin tonë është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj stabilitetit rajonal dhe ambicies sonë të pandalshme për të thelluar integrimin me BE-në. Për Shqipërinë, ky samit nënkupton shumë. Do të thotë thellim i bashkëpunimit për sfidat gjeopolitike, si dhe rritje e fokusit në adresimin e temave si siguria energjitike, menaxhimi i migrimit, veprimet për mbrojtjen e klimës, dhe zhvillimi ekonomik”.
Në fund, Ministri Hasani theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm për Francën dhe Bashkimin Evropian, duke kontribuar në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe zhvillim në rajon dhe më gjerë.
Burimi ATSH