
Rama në shtabin elektoral 4: Strukturat e PS-së në terren për ndjekjen e shqetësimeve të banorëve
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi mbrëmjen e sotme një takim me shtabin elektoral të Njësisë Nr.4, ku bashkëbisedoi për ecurinë e punës në terren.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi mbrëmjen e sotme një takim me shtabin elektoral të Njësisë Nr.4, ku bashkëbisedoi për ecurinë e punës në terren.
Kryeministri u njoh fillimisht me ecurinë e procesit të ndarjes së apartamenteve të reja për banorët e prekur nga tërmeti.
Rama sqaroi se puna që bëhet nga strukturat e PS-së në terren ka të bëjë me ndjekjen e shqetësimeve të banorëve.
“Bëhet fjalë për marrje të plotë të shqetësimeve nga njerëzit dhe ndjekje të shqetësimeve të tyre, siç duhet të bëjë çdo deputet i Shqipërisë nga të katër anët, kudo. As nuk hedh shorte partia, as nuk ndan apartamente partia, por organizata thotë këtu është filani që ka këtë hall, pra janë në ndihmë të tyre siç duhet të jenë kudo deputeti”, sqaroi Rama.
Sipas kryeministrit ka edhe një numër të konsiderueshëm familjesh te “5 Maji” dhe në Kombinat që kanë dalë nga regjistrimi për rindërtimin e banesave se nuk kanë bërë aplikimin në kohën e duhur, por për ta do të jepet një fond ekstra.
Po ashtu Rama theksoi se do të krijohet një fond shumë i madh për strehimin për çiftet e reja, për profesionistët që kthehen, për profesionistët në përgjithësi dhe studentët. “Do të angazhojmë fonde për të ndërtuar shtëpi studentësh se kemi mundësi ta bëjmë tani”, shtoi ai.
Lidhur me një problematikë të banorëve në zonën e Kinostudios të cilët kërkojnë vendosjen e një mbikalimi për të aksesuar zonën e shërbimeve, Rama premtoi se kjo do të zgjidhej pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Do t’i shikojmë bashkërisht por që do ta bëjmë nuk diskutohet. Por pas zgjedhjeve se nuk mund të bëjmë vepra publike para zgjedhjeve që nuk janë planifikuar më parë. Kjo do të ishte konkurrencë e pandershme. Nuk e bëjmë dot por pas zgjedhjeve do e bëjmë”, tha Rama.
Duke folur për transformimin që ka ndodhur në zonën e “5 Majit”, Rama tha se “gjithçka ka ndryshuar dhe kjo zonë është kryevepër”.
“Nuk e njeh Tiranën. Ka ndryshuar, e mbani mend si ka qenë. U hapën dritat, iku balta, është e paparë, është i pabesueshëm ndryshimi. ‘5 Maji’ ka dalë kryevepër, tani vetëm duhet kuruar me parqe dhe është edhe faza e dytë që duhet miratuar”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri siguroi banorët e Dibrës se për pak javë do të mbyllet edhe rruga Dibër-Librazhd. “Dibranët do të dalin në liqen. Këta po i shtrijnë tentakulat nga verilindja në jugperëndim”, tha Rama.
Burimi ATSH