
Rama: PS, shtëpi e hapur për të gjitha ngjyrat, edhe për blunë
Rama solli si shembull prurjet e reja në Partinë Socialiste në listat për kandidatë për zgjedhjet e 11 majit

Nga Elbasani, ku zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të këtij qarku, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, tha se PS është një parti e hapur për të gjithë.
Rama solli si shembull prurjet e reja në Partinë Socialiste në listat për kandidatë për zgjedhjet e 11 majit, dhe ju referua konkretisht kandidates Zamira Sina, dekane e Fakultetit Ekonomik të Vlorës, e cila ka qenë e angazhuar me Partinë Demokratike.
“Kemi në lista tona kandidat edhe në listë të mbyllur, që vijnë direkt nga ana tjetër, dekanen e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Vlorës e kemi nga çadra, sot është në listën e mbyllur, gjërat evoluojnë. Luli nuk evoluon sepse është i përsosur dhe nuk ka se çfarë evoluon, ka lindur i përsosur. Një njëri i cili gjumin e do aq shumë sa e mban për vete, është i përsosur, ca thonë lindin me këmishë, por Luli ka lindur me këmishë nate. Dekania çonte një mesazh me një fotografi me një grup të madh të rinjsh aty të FRPD-së. Ata mund të mos bëhen socialistë, ata nesër në momentin që mileti demokrat del nga këneta, se thahet kënate, se di kur do të thahet, por mund të kërkojnë alternativë të re. PS është një shtëpi e hapur, këtu kemi edhe të kuq fare, kemi edhe rozë, edhe pak më bojëqielli, duhet të jemi të hapur edhe për blunë, siç është gjithë gama nga ngjyra e flamurit tonë me ngjyrat e flamurit të BE-së”, tha Rama.
Duke ju referuar deputeti demokrat Dashnor Sula, Rama tha se edhe ai një ditë mund të bëhet pjesë e PS-së, por pasi të kalojë një proces “dezinfektimi”.
“Kjo është partia jonë, nuk është për të mbyllur derën. Jemi këtu për t’u thënë të gjithëve mirësevini, përveç salamandrave të kënetës, ata nuk kanë vend me ne. Kurse Dash Sula duhet të hyjë në një proces, sepse mund të jetë një ditë edhe Dash Sula, por për momentin duhet të dezinfektohet. Inat mund ta kesh, por aty një njeri me ulërima përditë për komunitetin e vet, se ka një të dytë si ai, por duhet të heqë morrat e kënetës”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH