
“Ditët e hapura”, interes i lartë i të rinjve për Forcat e Armatosura
Pas gjashtë ndalesave në qytetet e vendit, Forcat e Armatosura mbyllën turin e “Ditëve të hapura” në “Sheshin e Flamurit”, në Vlorë, ku në stendat e vendosura u ekspozuan mjete dhe pajisje ushtarake.

Pas gjashtë ndalesave në qytetet e vendit, Forcat e Armatosura mbyllën turin e “Ditëve të hapura” në “Sheshin e Flamurit”, në Vlorë, ku në stendat e vendosura u ekspozuan mjete dhe pajisje ushtarake.
Gjatë këtyre aktiviteteve, në kuadër të fushatës së rekrutimeve të reja, të rinj të shumtë shprehën interes për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u takua me të rinjtë e pranishëm, të cilët i ftoi të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u njohur me përfitimet që ka angazhimi dhe karriera në Forcat e Armatosura.
Ministri Vengu vuri theksin te përmirësimi i trajtimit financiar për të gjitha gradat ushtarake, por edhe mundësitë e shkëlqyera që ofron studimi në Akademinë e FA.
Aktiviteti “Dita e hapur” tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme. Turi në të gjitha qarqet e vendit u jep mundësi drejtuesve të Qendrës Kombëtare të Rekrutimit të marrin kontakte të drejtpërdrejta me të rinjtë, që shfaqin interes për t’u angazhuar në trupat tokësore, ajrore apo ato detare të FA.
Ndërkaq, paralelisht FA po vijon pjesëmarrjen në panairin “Work&Study”, i cili deri tani ka qenë në 17 qytete.
Në këtë panair të punës dhe studimit që organizohet nga Ministria e Arsimit, Akademia e Forcave të Armatosura prezanton për të gjithë të rinjtë programet e studimit dhe trajnimet ushtarake, mundësitë e zhvillimit profesional dhe ngritjes në karrierë si dhe përfitimet e një profesioni me siguri dhe stabilitet.
Burimi ATSH