
“Dialogu” mes porteve të Mantovës dhe Shqipërisë, perspektivë për zhvillimin ekonomik
Marrëveshja midis Mantovës dhe Durrësit hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të të dy qyteteve

Presidenti i Provincës Carlo Bottani, falë ambasadorit të Shqipërisë, Petrit Kozeli, synon një marrëveshje që do të forcojë të ardhmen ekonomike dhe logjistike të provincës virgiliane dhe të gjithë rajonit ballkanik.
Të shtunën, më 12 prill, në sallën “Cervetta” të sheshit “Mantegna”, në prani të autoriteteve italiane dhe shqiptare, do të nisë ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Portit të Durrësit dhe Portit të Valdaros, të cilët kanë formalizuar një bashkëpunim tregtar. Një hap historik që lidh portin kryesor detar të Shqipërisë me zemrën e lundrimit të brendshëm italian mbi lumin Po.
Kjo marrëveshje nuk lindi nga hiçi: institucionet e të dy vendeve kishin hedhur tashmë themelet e projektit përmes një takimi me videokonferencë. Bottani, Gabriele Negrini (drejtor portual i Valdaros), Gentian Kallmi (zëvendëskryetari i Bashkisë Durrës), Donjet Zeneli (drejtori financiar i Portit të Durrësit) dhe Kozeli kanë punuar për ta bërë këtë rezultat të mundur.
Pas këtij zhvillimi qëndron gjithmonë, Petrit Kozeli, i cili prej vitesh është një urë lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë. I quajtur “italiani i Shqipërisë dhe shqiptari i Italisë”, Kozeli nuk është vetëm një artizan, por edhe një diplomat në shpirt. Ambasador italian “de jure” në botë, komandant i Urdhrit të Meritës të Republikës Italiane dhe i Selisë së Shenjtë, Vatikanit, ai e ka kthyer dialogun mes dy vendeve në një mision personal.
Nuk është hera e parë që angazhimi i tij kthehet në simbole të fuqishme. Si kur i dhuroi këpucë me ngjyrat e flamurit italian, presidentit Giorgio Napolitano dhe me ngjyrat e flamurit shqiptar papa Françeskut, duke përcjellë mesazhin “Të ecim së bashku”. Sot, Kozeli e zhvillon më tej atë mesazh në: “Të lundrojmë së bashku”.
Marrëveshja midis Mantovës dhe Durrësit hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të të dy qyteteve dhe vendeve përkatëse. Porti i Valdaros, një nyje strategjike për transportin lumor dhe tokësor, po afirmohet si një qendër e privilegjuar për shkëmbimet tregtare me Ballkanin.
Publikuar nga gazeta “Zëri i Mantovës” (Voce di Mantova), më 19 mars 2025.