
Rama: Transformuam Durrësin, porti i ri do të thjeshtojë tregtinë dhe nxisë investimet
Kryeministri Edi Rama siguroi sot se porti i ri i Durrësit do të nxisë më tej kërkesën për investime private dhe do të thjeshtojë tregtinë.

Kryeministri Edi Rama siguroi sot se porti i ri i Durrësit do të nxisë më tej kërkesën për investime private dhe do të thjeshtojë tregtinë.
Kryeministri vizitoi sot fabrikën “Next Generation Perfumes” në Durrës, e cila prodhon parfume “Made in Albania” për tregjet europiane.
E ndërtuar nga sipërmarrës holandezë kjo fabrikë, sipas Ramës, mund të konsiderohet histori suksesi që tregon fuqinë e investimeve të huaja në Shqipëri.
Por, Kryeministri nënvizoi veçanërisht transformimin që ka përjetuar Durrësi vitet e fundit, që ka rritur edhe kërkesën për investime.
“Ne kemi përjetuar një transformim të gjithë këtij territori, sepse është rritur shumë kërkesa. Kjo edhe falë faktit se janë bërë disa ndërhyje të domosdoshme duke filluar nga fusha kanceroze e plehrave, që ishte tmerr dhe sot nuk ekziston më. Përkundrazi, është zëvendësuar nga një territor i gjelbër”, tha Rama, ndërsa veçoi edhe investimet në infrastrukturë.
Duke u nisur nga fakti se shumë pranë ndodhet edhe Universiteti i Durrësit, Kryeministri siguroi se ka projekte të tjera për jetësimin e kësaj zone.
“Do të bëjmë investim në kampusin e Universitetit për t’i dhënë mundësi studentëve që të kenë edhe aty rezidencën e tyre për të qëndruar”, tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se do të ndërtohet edhe porti i ri, që do ta thjeshtojë edhe më shumë gjithë tregtinë bashkë me gjithë gjërat e tjera të mira që janë në proces.
Burimi ATSH