
Urgjenca Kombëtare, Rama: U transformua, nga një histori turpi në model suksesi
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore është një nga krenaritë e reformave që janë bërë, për mënyrën se si është transformuar në histori suksesi një histori turpi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore është një nga krenaritë e reformave që janë bërë, për mënyrën se si është transformuar në histori suksesi një histori turpi.
Kryeministri mori pjesë sot në aktivitetin e 10-vjetorit të ngritjes dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
Rama vlerësoi transformimin që ka ndodhur me Urgjencën Kombëtare edhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore, ndërsa vlerësoi se kemi një Urgjencë Kombëtare që nuk i le gjë mangët urgjencave të vendeve të tjera.
Kryeministri kujtoi se “kur nisi ristrukturimi i Urgjencës pati një reagim dhe një rezistencë shumë të çuditshme, si për të gjitha gjërat që përpiqesh të ndryshosh në Shqipëri”.
“A thua se po shkatërronim ndonjë sistem ekselence botërore?! Faktikisht koha shumë shpejt provoi se kishim të drejtë të besonim se ai sistem e kishte të pamundur të funksiononte. Nuk ishte çështje telefonash apo makinash të shekullit të kaluar, pasi ato mund t’i ndryshoje, por sistemi ishte komplet ineficient”, tha Rama.
Por, Kryeministri nënvizoi se është koha të shkojmë më tej me këtë transformim.
“Së pari, tanimë Urgjenca Kombëtare e ka fituar të gjithë autoritetin e fakteve të provës së madhe të dobisë së saj dhe eficiencës së saj dhe nuk kemi më arsye pse të gjithë sistemin e autoambulancave dhe trupave në territor, koordinimit të urgjencës të mos e përqendrojmë tërësisht tek Urgjenca Kombëtare. Kjo duke mos lënë më spitalet e strukturat e tjera të futen në mes, sepse është një hallkë e tepërt. Sa më shumë të kemi, aq më shumë kërcënohet misioni i Urgjencës, emergjencave civile dhe Policisë së Shtetit”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se duhet të shkohet një hap më tutje dhe të bashkohen të tëra këto struktura, që do të funksionojnë pavarësisht nga njëra-tjetra.
Por, sipas tij, “të gjitha thirrjet dhe sinjali i parë i një urgjence qoftë ajo mjedisore, mjekësore apo kriminale duhet të vijnë në një vend”.
“Nga ai vend duhet të shpërndahen në një godinë, të ndarë në tri njësi të ndryshme autonome nga njëra-tjetra, por me të njëjtin sistem. Këtij hapi i ka ardhur koha ta bëjmë, sepse në shumë raste ndodh që këto trupa kanë nevojë për njëra-tjetrën”, tha Rama.
Ky hap, sipas tij, “do të ngrejë në nivel tjetër të gjithë sistemin e urgjencave në tërësi”.
Kryeministri kujtoi edhe abuzimin me ngjarjen e ndodhur në Pogradec para disa muajsh, kur u aludua se ambulanca u vonua 40 minuta.
“Rasti i famshëm u bë telenovelë në mënyrë të qëllimtë nga bunkerët e medias dhe politikës. Iu tregua shqiptarëve një gënjeshtër shumë e madhe. Sot çështja e llogaridhënies dhe transparencës së Urgjencës Kombëtare nuk është çështje opinionesh dhe tregimesh, por është në bankën e të dhënave elektronike që ka njësia e koordinimit, ku mund të verifikohen lehtësisht në kompjuter. Në rastin e Pogradecit ambulanca shkoi në vendngjarje për 7 minuta”, sqaroi Rama.