
Spiropali: Sulltan Novruzi, reflektim që drita dhe toleranca të përshkojë jetët tona
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku uroi festën e Sulltan Novruzit.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku uroi festën e Sulltan Novruzit.
Duke i uruar festën Kryegjyshit Botëror, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Spiropali u shpreh se “Sulltan Novruzi, kjo ditë e hareshme që shënon fillimin e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës, është më tepër sesa një festë e Bektashinjve.
Sipas saj, është një kremtim popullor që sjell gëzim në familjet e të gjithëve, një reflektim që drita, dashuria dhe toleranca të përshkojë jetët tona.
Në një prononcim për mediet nga ambientet e kësaj Kryegjyshate, Spiropali uroi gjithë besimtarët bektashinj por edhe gjithë shqiptarët në këtë ditë feste.
“Sulltan Novruzi është një festë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Simbolizon ringjalljen e natyrës, sjell të mirën pranë nesh, më shumë dritë dhe i merr natës për t’i dhënë ditës. Është ditëlindja e bekuar e Imam Aliut dhe përkon me pranverën, e cila mund dimrin e ftohtë dhe arrin që në çdo zemër të njerëzve të sjellë të mirën”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se kjo është një festë e bukur që lidhet edhe me forcën e njerëzve dhe me dëshirën për të dalë nga vështirësitë.
“Lidhet me dëshirën për të pasur më shumë dritë dhe të mirë në jetët tona, për të luftuar për më shumë”, tha ajo.
Po ashtu, Spiropali u shpreh se kjo festë është një mundësi që të gjithë të mblidhemi bashkë sepse ky komunitet, komuniteti bektashi ka mbështetur dhe luftuar gjithmonë për shqiptarizmën”.
“Ky komunitet ka luftuar për tolerancën mes feve të ndryshme. Është një komunitet aq tolerant, sa jo vetëm pranon këtu të gjitha besimet në këtë ditë të mirë, por edhe festa e tyre është një simbol për të gjithë pa dallim. U uroj shqiptarëve mirësi dhe begati në familjet e tyre dhe ta përdorin këtë ditë të bukur dhe të gjitha ditët në vijim për të bërë mirë, për të qenë më pranë njerëzve në nevojë dhe për të treguar se nuk ka të keqe që nuk mposhtet dhe nuk ka errësirë që nuk ndriçohet”, ishte mesazhi i Kryetares së Kuvendit.
Burimi ATSH