
Berisha në Napoli: Pesë vite pa asnjë taksë për secilin që kthehet të investojë në Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në një takim me diasporën shqiptare në Napoli (Itali).

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në një takim me diasporën shqiptare në Napoli (Itali).
Në fjalën e tij në takim, Berisha u shpreh se, njësoj si shekuj më parë, do të jenë shqiptarët nga jashtë që do të shpëtojnë Shqipërinë.
“Po shkojmë drejt raundit të fundit të betejës sonë. Drejt 50 ditëve që kanë mbetur. Këto 50 ditë janë vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha theksoi se ky vit është viti i diasporës shqiptare.
“Kam deklaruar me bindjen më të thellë se ky është viti i diasporës, sepse njëlloj si dikur, shekuj më parë, do të jenë shqiptarët nga jashtë që do të shpëtojnë Shqipërinë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se shqiptarët kishin një ëndërr në diktaturën komuniste dhe ajo ishte pluralizmi.
“Shqiptarët vuajtën më shumë se të gjithë të tjerët nga shteti monist dhe partia shtet”, tha Berisha.
Kreu i PD u shpreh se, “2025-a është viti i këtyre burrave dhe grave, të cilët kanë në shpirt një dashuri të pakufishme për Shqipërinë. Të cilët kanë marrë me vete mallin e pashuar për tokën e tyre”.
Berisha theksoi se, “ëndrrat e shqiptarëve i rrënoi Edi Rama, po shpirti i tyre për liri, betejat e tyre, virtytet e tyre nuk vdesin kurrë. Ato janë më të fuqishme se kurrë tek shqiptarët në vendet e lira”.
Ndaj, shtoi Berisha shqiptarët më 11 maj, “nga deti, nga toka, nga ajri do të vërshojnë në Shqipëri”.
Berisha më tej u shpreh se, projekti i Shqipërisë Madhështore u hartua gjatë 333 ditëve që ishte në arrest shtëpie.
“Projekti i PD dhe koalicionit për Shqipërinë Madhështore është projekti më madhështor, projekti më i bukur, projekti më fantastik që Shqipëria ka pasur ndonjëherë”, tha Berisha.
“Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria fantastike e shqiptarëve. Ky projekt u hartua gjatë 333 ditëve në arrest shtëpie”, tha ai, teksa shtoi se, “ky projekt fillon me dhembshurinë ndaj atyre që janë në nevojë, ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave që numërojnë kafshatën në Shqipëri, ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave që nuk marrin dot ilaçet, që nuk mjekohen dot në spitale”.
“Ne kemi vendosur të rishpërndajë tërësisht të ardhurat dhe buxhetin. Kemi vendosur të përcaktojmë minimumin jetik, pagën minimale, pagën mesatare, pensionet që asnjë shqiptar të mos jetë më në rrethin e varfërisë ekstreme”, tha ai.
Berisha shtoi se, Shqipëria Madhështore është Shqipëria “Made in Albania”.
“Nuk ka një vend të dytë në rajon dhe Evropë në 28 mijë kilometra katrorë më të pasur se vendi ynë. Ajo ka rezerva botërore të mineraleve, ka rezerva të mëdha të naftës, ka një mbitokë ndër më pjelloret, është plot me ujëra, me brigje fantastike, me alpe dhe male si ato. Ajo pret projektin për t’u ngjitur në madhështinë që i takon. Por unë përsëri e theksoj se Shqipëria madhështore do jetë vetëm kur ju të jeni pjesë”, iu drejtua Berisha shqiptarëve në Napoli.
Berisha gjithashtu premtoi se pesë vite do të jenë pa asnjë taksë për të gjithë ata që do kthehen të investojnë në Shqipëri
“Imagjinoni për një moment qindra-mijëra nga Italia, Greqia, Gjermania, Franca, SHBA, të vendosin që ato kursime që kanë, që ato mësime që kanë marrë me ortakët e tyre italianë, grekë, gjermanë, francezë, anglezë apo amerikanë, të vijnë dhe t’i investojnë në Shqipëri. Të vijnë dhe të prodhojnë në Shqipëri. A nuk do lartësohej Shqipëria si me Levën e Arkimedit? Në këtë drejtim ju keni një rol vendimtar për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore. Pesë vite pa asnjë taksë për secilin prej jush që do kthehet të investojë në Shqipëri”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se, Shqipëria do ketë klimën më tërheqëse të biznesit.
“Taksa 10 për qind, që është taksa e lashtësisë, është taksa e drejtësisë, do jetë taksa kryesore në Shqipëri. Se energjia do jetë më lirë se në çdo vend tjetër të Europës. Se burokracia do jetë më e pakët se kudo tjetër. Shqipëria do jetë vendi më tërheqës investimeve tuaja, i investimeve të huaja, i investimeve të shqiptarëve”, tha Berisha.
“Made in Albania do jetë krenaria jonë. Do bëjmë gjithçka që prodhimet tona të mbushin tregjet e vendit dhe të kalojnë në tregjet e mëdha”, theksoi Berisha, teksa shtoi se, “Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë pa pastruar shtëpinë tonë”.
“Pastrimi i shtëpisë është një kusht që Shqipëria të rritet, të ecë drejt madhështisë.”
Berisha garantoi se “pas ligjeve për minimumin jetik dhe pagën 500 euro, pas vendimeve për kthimin e parave të shqiptarëve, ligji i dytë është shpallja e Xhorxh Sorosit non-grata, mbyllja e Fondacionit Soros”.
Marrë nga ATSH