
Rama inspekton punimet te Sheshi i ri “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër: Vepër me një funksionalitet të plotë
Poshtë sheshit gjendet edhe parkimi nëntokësor, i cili ka zgjidhur njëherë e mirë problemin e parkimit të autobusëve dhe autoveturave.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Gjirokastër ku, i shoqëruar nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizitoi edhe sheshin e ri “Çerçiz Topulli”.
Sheshi i Rilindur i Çerçizit ka marrë tashmë formën përfundimtare dhe është totalisht në dispozicion jo vetëm të qytetarëve, por dhe turistëve të shumtë që vizitojnë Gjirokastrën në çdo stinë.
I transformuar nga një hapësirë e uzurpuar nga makinat e autobusët, sheshi tashmë është kthyer në një tjetër atraksion për qytetin.
“Projekti vazhdon, ka një pjesë tjetër po kur të vini herën tjetër do t’ua tregojmë që vazhdon dhe lidh këtë pjesë këtu me kalldrëmet “shtrat kronjtë” që quhet dhe ka rijetësuar gjithë zonën. Kanë filluar blerjet e të gjitha shtëpive që ishin të rrënuara praktikisht edhe po kopjojnë, në kuptimin e mirë të fjalës, njëri-tjetrin, sepse praktikisht kjo këtu është hotel, aty është qendra kulturore e fëmijëve që ka gjithmonë aktivitete e kurse të ndryshme. Ky sheshi këtu dhe ky kthehet gjithmonë në një shesh aktivitetesh sidomos kur fëmijët e shkollave kanë aktivitete dhe pastaj vijon gjithë komunikimi në lagjet e poshtme”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ndërkohë poshtë sheshit gjendet edhe parkimi nëntokësor, i cili ka zgjidhur njëherë e mirë problemin e parkimit të autobusëve dhe autoveturave.
Burimi ATSH