
Spiropali: Holanda, mbështetëse e fuqishme e rrugëtimit europian të Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Parlamentin Holandez, ku u prit në një takim të përbashkët nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe Kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Parlamentin Holandez, ku u prit në një takim të përbashkët nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe Kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Vendet e Ulëta, Artur Kuko.
Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera intensive politike dypalëshe, shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë dhe theksoi se ky momentum duhet ruajtur dhe bashkëpunimi duhet dhe mund të zgjerohet.
Pozita strategjike e Holandës në Bashkimin Europian dhe roli i fuqishëm në organizatat ndërkombëtare përbëjnë një oportunitet për realizimin e ambicjeve tona për integrimin europian dhe kontributin në përballimin e sfidave globale.
Spiropali vlerësoi mbështetjen për transformimet demokratike, nëpërmjet programeve të ndihmës për reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Holanda është ndër investitorët kryesorë në Shqipëri dhe Spiropali shprehu interesimin për shtimin e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar si edhe bashkëpunimin në nivelin lokal. Turizmi dhe sporti po afrojnë më shumë njerëzit e dy vendeve tona.
Spiropali nënvizoi se në kontekstin e zhvillimeve aktuale në marrëdheniet ndërkombëtare, bashkëpunimi mes dy vendeve mund të përfshijë edhe rivitalizimin e industrisë sonë ushtarake e mbrojtëse, në kuadrin e Programit për Riarmatimin e Europës.
Nxitja e bashkëpunimit parlamentar është thelbësor për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Spiropali nënvizoi vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e shkëmbimeve me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin në të gjitha nivelet, mes komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.
Spiropali vlerësoi mbështetjen e Holandës për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe ndau me homologët objektivin kombëtar strategjik për përfundimin e negociatave teknike të anëtarësimit brenda brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda vitit 2030, një objektiv ambicioz, por plotësisht i arritshëm, nëse mbajmë parasysh faktin se Shqipëria është aktualisht vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt anëtarësimit. Ne synojmë të zhvillojmë dy konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE në muajt prill dhe qershor, gjatë Presidencës Polake, dhe dy konferenca ndërqeveritare gjatë muajve tetor dhe dhjetor, gjatë Presidencës Daneze.
Spiropali vuri në dukje rolin aktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin, sigurinë e paqen në rajon, kontributin e Procesit të Berlinit në integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Planit të Rritjes si një mundësi që përshpejton zhvillimin ekonomik dhe rrit mirëqenien e fuqizon kohezionin social në vendet e rajonit.
Kryetarja e Kuvendit, Spiropali diskutoi me homologët holandezë edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadrin e Komunitetit Politik Europian dhe organizimin e Samitit të Gjashtë të tij në Tiranë në 16 maj 2025.
Duke vlerëzuar bashkëpunimin mes dy vendeve si anëtarë dhe partnerë në NATO, Spiropali vuri në dukje se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë për Ukrainën do të vazhdojë.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ftoi Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Martin Bosma dhe Kryetarin e Senatit Jan Anthonie Bruijn për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.
Burimi ATSH