
Plani i Kinës për rritje të drejtuar nga konsumi i brendshëm
Kina po përqendrohet në nxitjen e zhvillimit të drejtuar nga konsumi me një plan të ri që synon rritjen e të ardhurave të disponueshme dhe ndërtimin e besimit të konsumatorëve.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Kina po përqendrohet në nxitjen e zhvillimit të drejtuar nga konsumi me një plan të ri që synon rritjen e të ardhurave të disponueshme dhe ndërtimin e besimit të konsumatorëve. Plani i sapo zbuluar synon të inkurajojë shpenzimet e konsumatorëve si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të stimuluar rritjen ekonomike. Ai mbart një gamë të gjerë qëllimesh sociale, duke përfshirë rritjen e nivelit të të ardhurave, përmirësimin e kujdesit për të moshuarit, mbështetjen për kujdesin ndaj fëmijëve dhe promovimin e një balance më të mirë mes punës dhe jetës. Për herë të parë, plani gjithashtu synon të stabilizojë tregjet e aksioneve dhe të banesave, me qëllim rritjen e besimit të konsumatorëve dhe aftësisë së tyre për të shpenzuar.
Plani, i lëshuar nga Zyra e Përgjithshme e Komitetit Qendror të PKK-së dhe Zyra e Përgjithshme e Këshillit të Shtetit, synon të rrisë fuqishëm konsumin, të stimulojë kërkesën e brendshme dhe të rrisë fuqinë e shpenzimeve duke rritur të ardhurat dhe duke reduktuar barrën fiskale. Ai synon gjithashtu të gjenerojë kërkesë efektive përmes ofertës me cilësi të lartë, të përmirësojë mjedisin e konsumit dhe të adresojë kufizimet e theksuara në konsum. Këto masa zbulojnë një qasje të nuancuar gjeografikisht, me politika të synuara për zonat rurale dhe qendrat urbane, duke u lejuar autoriteteve lokale fleksibilitet nëpërmjet zbatimit bazuar në kushtet rajonale.
Njerëzit blejnë makina larëse në Shangai të Kinës, 16 mars 2025. /VCG
Politikat e Qeverisë Qendrore të Kinës
Pas shpalosjes së planit shumë besojnë se ato dërgojnë një sinjal politik të rëndësishëm: Kina tani po i jep përparësi konsumit dhe mirëqenies së qytetarëve të saj, përveç fokusit të saj në teknologji, inovacion dhe prodhim. Qasja makroekonomike e orientuar nga njerëzit, përfaqëson një pikë kyçe për Kinën. Ky ndryshim drejt prioritizimit të konsumit mund të ndihmojë në lehtësimin e disa tensioneve tregtare që po ndodhin globalisht, veçanërisht atyre midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Politikat shihen në kontekstin e një mjedisi të ndërlikuar gjeopolitik, gjeoekonomik dhe tregtar, i cili mund të sjellë më shumë ndërveprime midis Kinës dhe SHBA-së në muajt e ardhshëm.
Pavarësisht tensioneve tregtare, tregu i konsumit të Kinës është aq i madh saqë këto çështje mund të mos kenë ndikim të mëtejshëm në rritjen e konsumit të brendshëm. Politikat nga qeveria qendrore kanë filluar të japin frytet e tyre, me rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve që po tregon shenja rikuperimi. Rritja e fortë e regjistruar gjatë vitit të kaluar është një zhvillim i rëndësishëm që tregon një tendencë pozitive për tregun e brendshëm. Këto politika kanë të bëjnë me faktin se njerëzit kanë besim në të ardhmen e tyre dhe gjithashtu në potencialin e ekonomisë së Kinës.
Nga një këndvështrim ekonomik, janë dy gjëra që zakonisht ndikojnë në konsumin:
Të ardhurat: Për sa kohë që të ardhurat e njerëzve fillojnë të rriten, ata janë të gatshëm të shpenzojnë dhe të ndajnë një përqindje të buxhetit të tyre për mallra të konsumit.
Efekti i pasurisë: Fakti që tregu i aksioneve në Kinë ka filluar të përmirësohet, performanca ka qenë mjaft e mirë sidomos gjatë dy muajve të fundit, kjo sjell më shumë besim në pasurinë e njerëzve. Me fjalë të tjera, ata ndihen më të sigurt dhe më të pasur, gjë që rrit gatishmërinë e tyre për të shpenzuar më shumë.
Faktorët e tjerë si ndjenja e sigurisë për të ardhmen në lidhje me kujdesin shëndetësor, qasjen në arsim të përballueshëm, janë gjithashtu të rëndësishëm.Një pjesë e madhe e shpenzimeve të shpallura në planin e veprimit tashmë ishin përfshirë në buxhet, kështu që nuk mund të presim më shumë fonde përtej asaj që është parashikuar në buxhet për momentin.
Rruga për konsum më të fortë ka nisur tashmë. Megjithatë, një pjesë e madhe e popullatës ende nuk është pjesë e klasës së mesme, dhe këtu shpërndarja e të ardhurave—si shpërndarja funksionale e të ardhurave (pjesa e pagave në ekonomi) ashtu edhe shpërndarja ndërpersonale e të ardhurave—do të luajë një rol.
Turistët në “Botën e akullit dhe borës” në Harbin në provincën Heilongjiang, në Kinën Veriore, 26 shkurt 2025./VCG
Disa vjet më parë, kur u lançua teoria e qarkullimit të dyfishtë, kishte një artikull në People’s Daily që thoshte se ka dy aspekte për t’u marrë parasysh: njëra, reformat e anës së ofertës dhe tjetra, reformat e shpërndarjes së të ardhurave. Ky është një fillim i mirë për të menduar se si mund të mbështetet rritja e konsumit, pasi kjo kërkon politika të shpërndarjes së të ardhurave që do të çojnë në rritje të qëndrueshme të konsumit. Për ta thënë më thjesht, duhet të ketë më shumë njerëz pjesë të klasës së mesme, klasës konsumatore. Vetëm rritja e pagave nuk do të mjaftojë; duhet të bëhet më shumë. Ky konsum vjen kryesisht nga klasa e mesme dhe e lartë. Ata kanë para në bankë, dhe dallohet nga bilanci i llogarive të tyre bankare ka qenë duke u rritur shpejt në vitet e fundit.
Fushat e aksionit
Plani i ri synon një gamë të gjerë fushash duke kërkuar të rrisë kapacitetin e konsumit, të promovojë gatishmërinë për të shpenzuar, të optimizojë mjedisin e konsumit dhe të heqë pengesat që kufizojnë rritjen. Objektivi kryesor i planit është të rrisë të ardhurat e banorëve përmes disa masave kyçe. Këto masa fokusohen në promovimin e rritjes së pagave, zgjerimin e kanaleve për të ardhurat nga pronësia dhe adresimin e pabarazive të të ardhurave midis popullatës urbane dhe rurale. Një pjesë e madhe e kësaj përpjekjeje është e përqendruar në promovimin e rritjeve të arsyeshme të pagave në sektorë të ndryshëm, sigurimin e më shumë mundësive për gjenerimin e të ardhurave dhe zgjerimin e mjeteve financiare për të rritur pasurinë personale. Duke përmirësuar nivelet e të ardhurave, qeveria kërkon të rrisë kapacitetin e njerëzve për të shpenzuar dhe, si rrjedhojë, të stimulojë tregun e brendshëm.
Njerëzit ecin në rrugën e këmbësorëve të rrugës Nankin në Shangai të Kinës Lindore, 3 shkurt 2025./VCG
Tregu i kapitalit në Kinë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat nga pronësia e banorëve dhe plani i ri ndërtohet mbi përpjekjet e fundit për të stabilizuar tregjet e aksioneve dhe të pasurive të patundshme. Që nga shtatori 2024, politikat janë zbatuar për të stabilizuar këto tregje, duke pasqyruar angazhimin e autoriteteve qendrore për të dhënë përparësi stabilitetit ekonomik. Plani i veprimit të veçantë premton të forcojë më tej këto përpjekje duke u përqendruar në reformat e tregut dhe zhvillimin më të shëndetshëm financiar.
Qeveria po propozon gjithashtu një rritje të pensioneve urbane dhe rurale, të cilat pritet të rriten ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme. Pensionet urbane dhe rurale duhet të rriten me afate, 2, 3 dhe 5 vjeçare. Krijimi i një sistemi të unifikuar kombëtar të sigurimeve të pensioneve është një përbërës qendror i planit të veprimit. Kjo reformë do të lehtësojë transferimin e sigurimeve të pensioneve në të gjithë rajonet, duke i lejuar individët të lëvizin lirshëm për punësim pa humbur përfitimet e tyre të pensionit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për miliona punëtorë migrantë që përbëjnë shtyllën kurrizore të sektorëve të prodhimit dhe shërbimeve në Kinë. Duke mbrojtur të drejtat e tyre dhe duke siguruar vazhdimësinë e përfitimeve të tyre të sigurimeve shoqërore, plani synon të promovojë lëvizshmërinë më të madhe të fuqisë punëtore dhe të krijojë një treg pune më efikas dhe gjithëpërfshirës. Këto reforma, të kombinuara me përpjekjet e tjera për të përmirësuar mjedisin e konsumit, pritet të çojnë në rritjen e besimit të konsumatorëve dhe një ekonomi më dinamike të brendshme.
Plani synon grupe të cënueshme si punëtorët migrantë ruralë, punonjësit fleksibël dhe punëtorët në format e reja të punësimit, duke siguruar të drejtat e tyre dhe aksesin në shërbimet thelbësore. Duke zgjeruar burimet arsimore në qytetet e mëdha dhe duke hequr kufizimet e regjistrimit familjar, plani është krijuar për një mjedis konsumimi më gjithëpërfshirës, ku të gjithë qytetarët kanë qasje më të madhe në shërbimet publike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për punëtorët migrantë ruralë, të cilët kontribuojnë ndjeshëm në ekonomitë urbane të Kinës, por shpesh përballen me sfida për të hyrë në shërbime bazë si sigurimi shëndetësor dhe pensionet.
Një ekspozitë e konsumit sportiv e mbajtur në Qytetin Wuhan të Kinë Qëndrore, 20 Mars 2025./VCG
Një tjetër fokus kritik i planit të veprimit të veçantë është përmirësimi i cilësisë së konsumit të shërbimeve, i cili shihet si një nxitës kryesor i rritjes së qëndrueshme ekonomike. Kina synon të optimizojë shërbimet në sektorë kryesorë si kujdesi për të moshuarit, kujdesi për fëmijët, aktivitetet kulturore, sportet dhe turizmi, ndërkohë që gjithashtu zgjerohet hapja e industrisë së shërbimeve për të përmbushur nevojat në ndryshim të popullsisë.
Një plan i mirëmenduar
Në fakt, këto masa nuk dolën papritur ose pa asnjë vlerësim të gjithanshëm. Kanë filluar herët dhe janë shfaqur nga fundi i vitit të kaluar. Në Konferencën Qendrore të Punës Ekonomike të zhvilluar në dhjetor 2024, nxitja e konsumit u rendit e para ndër nëntë detyrat kryesore të zhvillimit të vitit 2025. Sipas tekstit të dalë nga konferenca, duhen bërë përpjekje për të nxitur fuqishëm konsumin, për të përmirësuar efikasitetin e investimeve dhe për të zgjeruar kërkesën e brendshme në të gjitha frontet. Duhet të zbatohet një fushatë e veçantë dedikuar stimulimit të konsumit dhe të bëhen përpjekje për të rritur të ardhurat, për të lehtësuar barrën e grupeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare, për të rritur aftësinë, vullnetin dhe nivelin e konsumit. Duhet të punohet për rritjen e duhur të pensioneve bazë për pensionistët dhe rritjen e përfitimeve bazë të pleqërisë dhe subvencioneve të qeverisë për sigurimet shëndetësore për banorët ruralë dhe urbanë që nuk punojnë. Përmirësimet në shkallë të gjerë të pajisjeve dhe programet e tregtisë së mallrave të konsumit duhet të promovohen me intensitet dhe shtrirje më të madhe.
Takimi bëri thirrje për organizim dhe koordinim më të mirë nga lart-poshtë për të ofruar mbështetje më të fortë për zbatimin e strategjive kryesore kombëtare dhe ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në fushat kryesore. Investimet nga buxheti i qeverisë qendrore duhet të rriten siç duhet. Duhet të punohet gjithashtu për të forcuar koordinimin fiskal dhe financiar për të mundësuar investimet e qeverisë për të nxitur në mënyrë efektive investimet joqeveritare. Projektet e mëdha sipas Planit Pesëvjeçar të 15-të duhet të planifikohen herët, projektet e rinovimit urban duhet të kryhen me energji dhe veprime të veçanta duhet të kryhen për të ulur kostot e logjistikës në të gjithë shoqërinë.
Në raportin e punës së qeverisë të publikuar në sesionin vjetor legjislativ (mars 2025), nxitja e konsumit u përmend përsëri si detyra parësore e qeverisë gjatë këtij viti. Plani, i organizuar në tetë seksione kryesore, miraton një qasje gjithëpërfshirëse duke adresuar njëkohësisht faktorë të tillë si rritja e të ardhurave, përmirësimi i cilësisë së konsumit e të shërbimit. Ai synon të promovojë rritjen e arsyeshme të pagave duke forcuar mbështetjen e punësimit në përgjigje të kushteve ekonomike dhe duke përmirësuar mekanizmat e rregullimit të pagës minimale. Kina do të zgjerojë kanalet e të ardhurave nga prona përmes masave për të stabilizuar tregun e aksioneve dhe për të zhvilluar më shumë produkte obligacionesh të përshtatshme për investitorët individualë.
Së fundmi, qasja strategjike e qeverisë kineze për të nxitur konsumin tregon përfitimet e qeverisjes proaktive dhe të mirëmenduar. Duke zbatuar masa të synuara që adresojnë si nevojat e menjëhershme ashtu edhe qëllimet afatgjata. Kjo paketë gjithëpërfshirëse e politikave prezanton masa të gjera për të përmirësuar mekanizmat institucionalë për nxitjen e konsumit, për të zhbllokuar potencialin e ri të tregut dhe për të përshpejtuar zhvendosjen e Kinës drejt një modeli të rritjes ekonomike të drejtuar nga konsumi.
Qeverisja efektive në raste të tilla mund të çojë në stabilitet ekonomik të qendrueshëm, përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët dhe një ekonomi globale më të ekuilibruar. Me pak fjalë, sigurohet jetesa bazë e grupeve kryesore të shoqërisë dhe shtohet ndihma për njerëzit me të ardhura të ulëta.
Burimi CGTN