
Rama: Vota më 11 maj, e lidhur drejtpërdrejt me Bashkimin Evropian
Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe drejtuesja politike e PS për Qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilluan mbrëmjen e sotme një takim me shtabin elektrorial të Njësisë 6.

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe drejtuesja politike e PS për Qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilluan mbrëmjen e sotme një takim me shtabin elektrorial të Njësisë 6.
“Dhe nata vazhdon celulë m’celulë… Uji fle, armiku fle, PS-ja s’fle. Njësia 6, Tiranë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Në zonën e Kombinatit, ku drejtues i njësisë është ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Rama u takua me pjesëtarët e shtabit elektoral.
Rama u interesua lidhur me ecurinë e punës në këtë njësi, teksa anëtarët e shtabit u shprehën se është punuar me diasporën si dhe me takimet në terren.
Gjithashtu janë ndarë edhe grupet që punojnë me të rinjtë për të arritur objektivat e kësaj njësie.
Rama pyeti se cili është objektivi, teksa Gonxhja u shpreh se, “objektivi është ambicioz shumë, është nga më të vështirët, nuk do të punojmë për objektivin mekanik, do të punojmë për të nxjerrë çdo rezervë të mundshme të zonës. Ka edhe jo socialistë që do punojmë, ka edhe të lëkundur në zonë, ka edhe rrugëhumbur e thamë, do punojmë”.
“Në fakt kanë bërë një punë shumë të mirë, kanë punuar jo vetëm për Kombinatin, për Tiranën, por edhe për të gjithë Shqipërinë, sepse është bërë një punë për referimin e kontakteve nga Njësia 6 rreth 5500 kontakte që na kanë dhënë një dorë shumë të mirë për të gjithë njësitë e tjera të Tiranës. Kurse këtu fokusin e kemi tek 1600 mbështetës që i vijnë Tiranës nga Kombinati”, tha Manastirliu.
Më tej Rama pyeti pjesëtarët e shtabit se me çfarë merren konkretisht.
Kryeministri u shpreh se, vota më 11 maj është e lidhur drejtpërdrejt me Bashkimin Evropian.
“Ne kemi këto ditë bëjmë prezantimin e piketave të programit qeverisës dhe duhet të fokusohemi shumë fort tek përfshirja e të gjithë të rinjve në këto zgjedhje për Bashkimin Evropian. Dhe votuesit e parë dhe të gjithë ata që janë më të rinj e kanë drejtpërdrejt të lidhur me pasaportën, sepse ajo pasaportë i jep një përmasë komplet tjetër jetës së tyre totalisht. Po duhet shpjeguar se ka disa gjëra që duhen shpjeguar, ndaj dhe unë po përpiqem që ta shpjegoj, por duhet të fillojmë ta shpjegojmë pak nga pak që të gjithë se pse është e rëndësishme vota, pse është e lidhur drejtpërdrejt me BE-në këtë herë”.
“Unë kam shumë merak që është një mundësi e artë që mund të iki, nuk është një gjë që do rrijë aty. Janë krijuar rrethanat që na janë puqur yjet. Fati jonë me fatin e tyre janë puqur në këtë fazë dhe duhet shfrytëzuar kjo dritare që është hapur, kjo derë që është hapur, se mund të mbyllet”, tha Rama.
“Evropa ka histori për këtë, ka pasur momentet e veta të hapjes, ka pasur momentet e veta të mbylljes të derës ka pasur dhe momente kur i kanë mbyllur kanatet fare dhe kanë thënë s’duam më të zgjerohemi. Dhe ne nuk e dimë si zhvillohen ngjarjet. Kështu që për këtë dritare që na është krijuar, kjo derë që na është hapur, për 2027-ën, për të mbyllur negociatat ne duhet ta shfrytëzojmë patjetër. Dhe duhet që negociatat të mos turbullohen, të mos shqetësohen nga asnjë lloj gjëje politike”, tha Rama.
“Ajo është tamam realisht një votë që mbështet vazhdimin e negociatave pa ndërprerje, pa luhatje dhe është shumë, shumë e rëndësishme. Duhet folur kjo gjë, duhet shpjeguar”, theksoi Rama.
Duke folur për rindërtimin, Rama u shpreh se, “pak a shumë është vënë në vijë tashmë rindërtimi. Ka disa problematika që janë me disa që nuk figurojnë të regjistruar, se duhet të regjistrohen dhe atë e kemi në disa vende se kanë aplikuar me vonesë, plus ata të shpronësuarit. Por tashmë e kemi vënë në vijë dhe e kemi diskutuar me ata të bashkisë që po bëjnë gati një skaner të plotë të gjithë situatës ku janë kutitë për t’u mbushur, qoftë me financim, qoftë me projektet. Do kërkojë ca kohë, por do dali me shumë sukses rindërtimi. Se këto dy… dhe “5 Maji” është spektakolar. Do punë hapësira publike, tani ka fazën e dytë. Kombinati projekti është shumë i bukur, do bëhet spektakolar, por do pak më shumë punë, se kemi pasur një tmerr me shpronësimet”.
Burimi ATSH