
Strategji Kombëtare për Shkencat Ligjore, Hoxha: Hap drejt një sistemi drejtësie sa më funksional
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë sot një një konferencë të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, për zhvillimin e një Strategjie Kombëtare për Shkencat Ligjore.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë sot një një konferencë të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, për zhvillimin e një Strategjie Kombëtare për Shkencat Ligjore.
Sipas ministrit “nuk është thjesht një detyrë administrative, por një hap i rëndësishëm drejt një sistemi drejtësie sa më funksional”.
Ministri Hoxha tha se “shkencat Ligjore janë thelbësore për sistemin e drejtësisë penale. Ato ofrojnë bazën shkencore për hetimet, analizat dhe provat, të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara ligjore. Megjithatë, për të arritur këtë, kemi nevojë për një qasje të koordinuar, të bazuar në strategji dhe të përshtatur me nevojat e vendit. Një Strategji Kombëtare për Shkencat Ligjore nuk është thjesht një dokument pune. Është një Udhërrëfyes, që përcakton sesi do të përmirësojmë cilësinë, pavarësinë dhe transparencën e shkencave ligjore në Shqipëri”.
Sipas ministrit kjo strategji duhet të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare, veçanërisht ato të Bashkimit Europian dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ministri theksoi se nga analiza e kryer dhe të dhënat e përftuara, kemi nevojë për një kornizë ligjore, që të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të shkencave ligjore.
“Kjo përfshin menaxhimin e cilësisë dhe paanshmërinë, në përputhje me kërkesat e BE-së, si edhe përfshirjen efektive të shkencave ligjore në sistemin e drejtësisë penale”, tha Hoxha.
“Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, përmes Institutit të Policisë Shkencore (IPSH), ka një rol kryesor në ofrimin e shërbimeve të shkencave ligjore në hetimet penale. Megjithatë, e kemi shumë të qartë se ekzistojnë sfida që duhen adresuar. Duke nisur me marrëdhënien e ngushtë mes IPSH-së dhe Policisë, e cila mund të ndikojë në perceptimin e pavarësisë së shkencave ligjore. Ndaj na duhet të punojmë për të forcuar besimin e publikut në objektivitetin e këtij shërbimi”, u shpreh Hoxha.
Hoxha tha më tëj se “laboratorët tanë shkencorë, megjithë investimet në vite, kanë nevojë për pajisje dhe teknologji moderne për të përmbushur kërkesat në rritje. Një nga prioritetet kryesore mbetet investimi në trajnimin dhe zhvillimin e ekspertëve të fushës, që përfshijnë: Programe trajnimi të vazhdueshme dhe specializime në fusha të ndryshme të shkencave ligjore; Bashkëpunim me institucionet akademike për të përmirësuar programet e arsimimit dhe të krijuar një brez të ri ekspertësh”.
“Në një botë ku teknologjia po evoluon me shpejtësi marramendëse, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për implikimet që pasojnë nga përdorimi i saj. Përveç kësaj, duhet të sigurojmë që politikat tona të jenë të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore dhe të përfshirjes sociale”, u shpreh Hoxha.
Ministri nënvizoi se transparenca dhe llogaridhënia mbeten thelbësore për besimin e publikut.
“Ne duhet të forcojmë procedurat e sjelljes dhe të luftojmë korrupsionin në të gjitha nivelet, kudo që ai shfaqet. Kjo përfshin domosdoshmërinë për krijimin e mekanizmave të pavarura për mbikëqyrjen e shkencave ligjore”, tha Hoxha.
Sipas ministrit shkencat ligjore nuk janë vetëm një çështje e Ministrisë së Brendshme.
“Ato kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë, gjykatat, avokatët dhe shoqërinë civile. Vetëm duke punuar së bashku mund të arrijmë një sistem të qëndrueshëm dhe efektiv. Për të përmirësuar shkencat ligjore në Shqipëri, kemi nevojë për reforma strukturore dhe ligjore”, u shpreh ministri.
“Kjo parashikon që nga: Rishikimi i procedurave të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe rolit të ekspertit të vendit të ngjarjes; Krijimi i një kornize ligjore të qartë për menaxhimin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë”, nënvizoi Hoxha.
Në fund të fjalës së tij Hoxha vuri në dukje se “zhvillimi i një strategjie kombëtare për shkencat ligjore nuk është thjesht një detyrë për qeverinë”.
“Kjo është një detyrë për gjithë institucionet, ekspertët dhe shoqërinë civile. Biem dakord se kemi nevojë për një qasje të koordinuar dhe të qëndrueshme, që të sigurojë se shkencat ligjore në Shqipëri të jenë në nivelin më të lartë të cilësisë dhe besimit. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një sistem drejtësie të barabartë, transparent dhe të bazuar vetëm në prova”, tha Hoxha.