
300 familje të kthyera për të bërë turizëm, Rama: Pagat në Theth më të mira se në Greqi
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Shkodër ligjin e ri të sapomiratuar “Paketa e Maleve”, që i hap rrugë investimeve në agroturizëm e turizëm malor

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Shkodër ligjin e ri të sapomiratuar “Paketa e Maleve”, që i hap rrugë investimeve në agroturizëm e turizëm malor, duke i dhënë një mundësi reale, e mbështetje të posaçme, të gjithë tyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve për të bërë sukses ekonomik për familjen e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, një sipërmarrës me një biznes disavjeçar në Theth u shpreh se kjo zonë e Shqipërisë, dikur e braktisur është kthyer në një atraksion absolut për turizmin malor.
Kemi qenë 20 familje, tani jemi bërë mbi 300 familje që janë kthyer nga e gjithë bota dhe për të zhvilluar turizmin”, tha ai, teksa shtoi se me të ardhurat e biznesit ndihmon edhe të afërmit në Gjermani dhe Itali.
“Kemi njerëz në Gjermani, Itali e disa vende që u çojmë lekë. I kemi thënë hajdeni këtej se nuk mund t’ju ndihmojmë më me të ardhura. Hajdeni keni mundësi ti bëni këtu”, u shpreh sipërmarrësi.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama tha se “pagat në Theth janë më mirë se pagat në Greqi, kjo është pak por e sigurtë”.
“Ata që shkojnë për të punuar kanë falas qëndrimin dhe ngrënien”, pohoi Rama.
Burimi ATSH