
Ambasadorja Kamitsi: Greqia dëshiron që Shqipëria të bëhet sa më shpejt anëtare e BE
Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi ka zhvilluar një pritje në kuadër të festimeve për Revolucionin Grek të 1821, njohur ndryshe dhe si Dita e Pavarësisë

Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi ka zhvilluar një pritje në kuadër të festimeve për Revolucionin Grek të 1821, njohur ndryshe dhe si Dita e Pavarësisë, që zhvillohet në Greqi, Qipro dhe qendrat e diasporës greke çdo 25 mars. Kjo festë përkoi edhe me festën e Ungjillëzimit apo Shpalljen e Hyjlindëses.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja Kamitsi nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe garantoi se Greqia do të shërbejë si urë lidhëse për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Integrimi e Shqipërisë në BE do të jetë diçka e mrekullueshme për vendin tonë dhe do të kontribuojë në forcimin e interesave tona të përbashkëta brenda BE-së. Kjo është edhe një arsye më shumë përse Greqia dëshiron që Shqipëria të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, anëtare e familjes evropiane, në respekt të plotë dhe zbatim besnik të statusit komunitar dhe të drejtave themelore”, u shpreh Kamitsi duke shtuar më pas se Greqia do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj në ecurinë e Tiranës për integrimin evropian.
Përveç bashkëpunimit politik, ambasadorja ka përmendur dhe bashkëpunimin kulturor.
Gjatë vitit të fundit, Ambasada e Greqisë në Tiranë së bashku me Konsullatat tona të Përgjithshme në Gjirokastër dhe në Korçë, organizoi një sërë aktivitetesh në fusha si muzika, teatri, artet figurative si dhe aktivitete për tema shoqërore si vendi që zë gruaja në epokën e sotme.
Në pritje ishin të pranishëm figura të të gjitha sferave, nga Kryepeshkopi Joan Pelushi, ministri i jashtëm, Igli Hasani, kryetari i PD, Sali Berisha, deputeti i PBDNJ, Vangjel Dule etj.