
Ekonomia e Kinës, elastike, me rol efikas dhe cilësor në qëndrueshmërinë e ekonomisë rajonale dhe globale
Ekonomia kineze ka dëshmuar një elasticitet të jashtëzakonshëm, po luan një role fikas dhe cilësor në qëndrueshmërinë e ekonomisë rajonale dhe globale dhe po shfaq përditë e më shumë mundësi të shumta për hapje.

Nga Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
Është një fakt i pamohueshëm se ekonomia e Kinës po dëshmon në vazhdimësi disa karakteristika që ekonomitë e vendeve të tjera të mëdha e kanë të vështirë që ti paraqesin. Konkretisht, ekonomia kineze ka dëshmuar një elasticitet të jashtëzakonshëm, po luan një role fikas dhe cilësor në qëndrueshmërinë e ekonomisë rajonale dhe globale dhe po shfaq përditë e më shumë mundësi të shumta për hapje.
Elasticiteti i kësaj ekonomie po paraqitet si një dukuri kryesisht përballë presioneve të jashtme, presione që përfshijnë luftërat tregtare, kriza në rajone të ndryshme të botës dhe ndryshimet gjeopolitike, aq të dukshme kohë e fundit, si pasojë e ndryshimit të peshimit të fuqisë në rang botëror. Kina paraqet një model zhvillimi ku udhëheqja politike dhe qeveritare kombinohet fare mirë me iniciativën private. Ky binom ka qenë edhe suksesi i rritjes ekonomike të Kinës edhe në kohë të vështira. Është pikërisht ky model që përfshin politika të suksesshme industriale, investime masive në teknologji, infrastrukture, bujqësi e zhvillim urban e rural dhe diversifikim të parneritetit tregtar, duke synuar rritjen e konsumit të brendshëm, uljen e varësisë nga importet, nxitjen e eksporteve, etj. Ky kombinim është variant më i përshtatshëm për t’u bërë ballë goditjeve të jashtme dhe pritshmërisë së popullit kinez për përmirësim të cilësisë së jetës në vazhdimësi.
Një fabrikë e prodhimit inteligjent të pjesëve këmbimi të makinës, qytet Anqing, provincë Anhui, Kinë Qendrore/VCG
Në lidhje me stabilizimin e tregjeve rajonale dhe globale roli i Kinës përmes investimeve të projektit “Një Brez, Një Rrugë”, ka qenë i dukshëm në zhvillimin e infrastrukturës dhe tregtisë në shumë vende dhe rjaone të botës, duke ndihmuar dhe ndikuar pozitivisht edhe në rritjen dhe forcimin e ndërlidhjeve ekonomike, infrastrukturore dhe tregtare mes rajoneve. Padyshim që përgjatë situatave të krizave globale, siç ishte edhe pandemia e COVID-19, dhe në vazhdimësi, Kina ka vepruar si një furnizues kryesor dhe unik për mallra, shërbime dhe lëndë të para, duke ndikuar në një masë shumë të madhe edhe në ruajtjen e stabilitetit të zinxhirëve të furnizimit, paralelisht me pjesëmarrjen e saj aktive në organizatat ndërkombëtare si G20, Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), etj, gjë që ka ndikuar pozitivisht në menaxhimin e krizave globale ekonomike dhe të natyrave të tjera.
Kina në vazhdimësi ka treguar një qasje për një hapje graduale ndaj botës, duke krijuar mundësi të shumta, të reja dhe të pakufishme për investitorët dhe bizneset globale. Hapja e Kinës është mbështetur nga reforma në sektorin financiar, lehtësimi i kufizimeve për investimet e huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit, duke e bërë Kinën e sotme dhe të së ardhmes një destinacion mjaft tërheqës për kapitalin ndërkombëtar. Kjo e ndihmuar dhe mbështetur edhe nga inovacioni në sektorin e teknologjisë, digjitalizimi i shpejtë në të tëra fushat, krijueshmëria e punonjësve dhe aplikimi e respektimi i standardeve ndërkombëtare të cilësisë në realizimin e produkteve dhe shërbimeve. Padyshim që në këtë drejtim një ndikim të madh ka dhënë edhe rritja e shtresës së mesme të popullsisë së Kinës, që tashmë ka treguar se ka një kërkesë në rritje për produkte dhe shërbime jo thjesht kineze, por edhe me natyrë globale, duke u dhënë mundësi kompanive transnacionale, por edhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga mbarë bota që të gjejnë në Kinë një mjedis të përshtatshëm me përfitime të ndërsjella dhe me një prirje për nxitjen e mëtejshme të zhvillimit ekonomik ndërkombëtar.
Raporti i publikuar në Forumin Boao për Azinë/VCG
Në kuadër të këtyre zhvillimeve, në provincën Hainan të Kinës Jugore, këto ditë po zhvillohet Forumi Boao për Azinë, me temën “Azia në botën në ndryshim: Drejt një të ardhmeje të përbashkët”, në të cilin po marrin pjesë më shumë se 2000 të ftuar nga më shumë se 60 vende nga rajoni dhe bota, që të përfshirë në më shumë se 50 veprimtari të këtij forumi, diskutojnë për (1) rindërtimin e besimit, (2) forcimin e bashkëpunimit, (3) ribalancimin e globalizimit, (4) zhvillimin gjithëpërfshirës, të vazhdueshëm dhe inovativ dhe për (5) të ardhmen e inteligjencës artificiale, etj.
Këto ditë, në lidhje me ecurinë e ekonomisë së Kinës janë publikuar edhe disa raporte.
Për shembull: “Raporti Vjetor 2025 i Perspektivës Ekonomike Aziatike dhe Progresi i Integrimit”, sipas të cilit “Kina mbetet qendra e zinxhirëve globalë të vlerës së prodhimit”, raport që ve në dukje se “që nga viti 2017, tregtia globale e mallrave të ndërmjetme ka qenë më e varur nga Kina sesa nga vendet e Amerikës së Veriut dhe në vitin 2023, varësia globale nga Kina për mallra të ndërmjetme ishte 16%, në krahasim me 15% të vendeve të Amerikës së Veriut.
Sipas këtij raporti, “Fërkimet tregtare të iniciuara nga SHBA në vitin 2018, jo vetëm që nuk e përmirësuan pozitën e SHBA në zinxhirët globalë të vlerës të prodhimit, por e zgjeruan hendekun e saj me Kinën, përsa i përket rëndësisë së tyre në zinxhirët përkatës, duke shtuar faktin se në vitin 2023, Kina mbeti lider në 20 nga 22 mallrat e ndërmjetme më të tregtuara në botë.
Po sipas këtij raporti, në vitin 2025, ekonomia e Azisë do të rritet me 4.5%, rritje më e lartë se ajo e vitit 2024 (4.4%), duke e kthyer rajonin në një “motor kyç rritjeje: për ekonominë botërore, edhe pse sfidat e ndryshme si (1) tensionet gjeopolitike, (2) presionet inflacioniste dhe (3) aspektet manaxheriale të zinxhirëve globale të furnizimit, duke bërë që “(1) rritja e tregtisë së mallrave të rimëkëmbet gradualisht dhe (2) tregtia e shërbimeve të vazhdojë të zgjerohet me një ritëm të forte (veçanërisht në turizëm, transport dhe shërbime digjitale, etj), duke patur parasysh se Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm në këto zhvillime.
Dukuri të tjera lidhur me këto zhvillime kanë qenë edhe (1) rritja e vlerës bruto të mallrave të tregtisë elektronike të vendeve të ASEAN-it me 15%, (2) qëndrueshmëria e lakmueshme e tregjeve financiare aziatike dhe qëndrueshmëria e destinacioneve kryesore të investimeve të huaja, ku udhëheq Kina, ndjekur nga Japonia.
Por, raporti theksoi se ka edhe sfida të tilla si (1) paplotësimi i tregut aziatik pasi shumë ekonomi ende janë të varura nga produkte dhe shërbime që vijnë nga jashtë rajonit, (2) nevoja për përmirësim të mëtejshëm të mekanizmave të koordinimit të politikave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, etj.
Gjithashtu në këtë Forum u publikua edhe “Raporti Vjetor mbi Përpjekjet dhe Sfidat e Azisë në Adresimin e Ndryshimeve Klimatike”. Sipas këtij raporti, që përmban katër kapituj (1. Hendeku i Klimës dhe Rritja e Gjelbër, 2. Qasja e Azisë drejt Gjelbërimit, 3. Investimi në Natyrë si një Infrastrukturë për Ndërtimin e Qëndrueshmërisë dhe 4. Lidhshmëria e Tregut të Karbonit), “Azia, që ka gati 60% të popullsisë globale dhe që mbulon rreth 30% të sipërfaqes tokësore të Tokës, në vitin 2023 krijoi mbi 50% të emetimeve globale të CO2, si pasojë e industrializimit të shpejtë dhe kërkesës në rritje për energji”, gjë që (sipas raportit) “përbën një nevojë urgjente për veprim klimatik në Azi, kontinent që përballet me rreziqe joproporcionale për shkak të (1) popullsisë së dendur, (2) mbështetjes së ekonomisë te lëndët djegëse fosile dhe që (3) ka një ekspozim pothuajse ekstrem ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, edhe pse “Azia po përshpejton tranzicionin e saj të gjelbër” dhe që sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, “në dhjetë vitet e ardhshme Azia do përjetojë një trefishim të tregut të teknologjisë së energjisë së pastër”, duke bërë që zhvillimi i gjelbër dhe potenciali që ai ka po sjellin një qasje të re për një progres të koordinuar ekonomik, social dhe ekologjik në pjesën më të madhe të Azisë”, por kjo kërkon përpjekje të përbashkëta nga qeveritë, organizatat ndërkombëtare, bizneset, grupet e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara (sipas deklaratës së këtij forumi), duke përdorur mekanizmat institucionalë, për të lehtësuar flukset e kapitalit, shkëmbimin e teknologjisë dhe bërjen e rregullave.
Pjesëmarrësit në Forumin e Zhvillimit të Kinës 2025/VCG
Pak ditë më parë se të zhvillonte punimet Forumi Vjetor i BFA 2025, në Kinë u mbajt edhe Forumi i Zhvillimit të Kinës 2025, ku morën pjesë më shumë se 80 drejtues të kompanive më të mëdha shumëkombëshe, pjesëmarrje që rikonfirmoi edhe një herë besimin e këtyre kompanive transnacionale te ekonomia e Kinës. Në këtë forum me temë: “Shfrytëzimi i momentumit të zhvillimit për rritje të qëndrueshme të ekonomisë globale”, u organizuar 12 simpoziume dhe disa sesione në të cilat u trajtuan tema të tilla si (1) rritja e konsumit, (2) zhvillimi i forcave të reja prodhuese cilësore dhe (3) zhvillimi gjithëpërfshirës i AI.
Në këtë forum u përfaqësuan me drejtuesit e tyre më të lartë Apple, Siemens, BMW, Mercedes-Benz, etj, që janë ajka e kompanive transnacionale në rang botëror, dhe midis tyre më shumë se 27 kompani amerikane. Gama e veprimtarive të këtyre kompanive është e gjerë dhe përfshin financat, sigurimet, kujdesin shëndetësor, energjinë, etj. E dukshme është edhe rritja e numrit të kompanive pjesëmarrëse, 17 prej tyre që morën pjesë për herë të pare, në këtë forum, ku zyrtarët e qeverisë kineze përsëritën angazhimin e vendit për hapjen e nivelit të lartë dhe bashkëpunimin global. Në fjalën e hapjes, kryeministri kinez Li Qiang theksoi se “ndërmarrjet e financuara nga jashtë janë pjesëmarrës dhe kontribuues të domosdoshëm në zhvillimin e Kinës”. Ai u zotua të zbatojë më shumë masa për të ndihmuar ndërmarrjet e financuara nga jashtë të integrohen në tregun kinez.
Me këto zhvillime është e dukshme se ekonomia e Kinës po shfaq në mënyrë të suksesshme një (1) elasticitet të admirueshëm përballë presioneve të jashtme, duke luajtur dhe mbajtur një (2) rol shumë të rëndësishëm në stabilizimin e ekonomisë rajonale dhe asaj botërore dhe duke (3) sjellë mundësi edhe më të mëdha dhe edhe më të shumta për të gjithë me hapjen e saj ndaj botës.
Burimi CGTN