
Sipërmarrës nga 37 shtete në Tiranë, Gonxhja: 30 projekte gati për investime
“Match-Maker Albania 2025”- Pasqyrim i interesit dhe besimit në rritje në Shqipëri, si një destinacion për investime dhe inovacion.

Eventi “Match-Maker Albania 2025” mblodhi bashkë në Tiranë 1000 përfaqësues nga 37 shtete, përfshirë investitorë, agjenci zhvillimi dhe eksportues shqiptarë për investimet në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe infrastrukturë, si dhe për fuqizimin e markës “Made in Albania”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në fjalën e mbajtur në këtë takim vlerësoj pjesëmarrësit nga 36 vende të botës, duke e cilësuar këtë, “pasqyrim i qartë i interesit dhe besimit në rritje në Shqipëri, si një destinacion për investime dhe inovacion”.
Ai tha se, “mbi 500 investitorë të huaj, 200 kompani shqiptare dhe më shumë se 30 eksportues elitarë janë sot këtu, teksa ne prezantojmë më shumë se 30 projekte të gatshme për investime publike dhe private, që përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh”.
Kjo ngjarje vijoi ministri, “është më shumë se një platformë për bashkëpunime, por pasqyron momentin e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërtuar”.
Gonxhja vuri në dukje se, investimet e huaja direkte në vitin 2024 arritën në 1.6 miliardë euro, nivelin më të lartë historik. “Kjo nuk është rastësi. Është rezultat i punës së palodhur, reformave dhe vizionit. Vendet si Turqia, Italia, Holanda, Austria dhe Kosova kanë udhëhequr rrugën në investimet në Shqipëri, duke forcuar lidhjet dhe hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”, tha ai.
Gonxhja u shpreh krenarë për nënshkrimin e pesë memorandumeve të reja të mirëkuptimit me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Britaninë e Madhe dhe Kazakistanin.
“Këto marrëveshje janë më shumë se gjeste diplomatike. Ato janë angazhime për të bashkëpunuar, për të shkëmbyer njohuri dhe për të investuar në rritjen e njëri-tjetrit, në turizëm, pasuri të paluajtshme, teknologji, inovacion, agrobiznes, prodhimi, energjia, financat, kujdesi shëndetësor etj” u shpreh ministri.
Gonxhja shprehu besimin, se ky transformim i vendit do të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është e përkushtuar të mbështesë çdo investitor dhe çdo sipërmarrës që ndan këtë vizion. Ne jemi këtu jo vetëm për të nxitur rritjen, por për ta formësuar atë”, tha Gonxhja në fund të fjalës së tij.
Burimi ATSH