
Miratohet udhëzuesi i punës për Komisionet e Qendrave të Votimit
Komisioni Rregullator shqyrtoi sot projektvendimin “Për miratimin e udhëzuesit të punës për Komisionet e Qendrave të Votimit, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë“.

Komisioni Rregullator shqyrtoi sot projektvendimin “Për miratimin e udhëzuesit të punës për Komisionet e Qendrave të Votimit, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë“.
Udhëzuesi është material ndihmës për trajnimin e Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe iu shërben trajnerëve të administratës zgjedhore për zhvillimin e trajnimeve me anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor si dhe anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
Në materialin ndihmës janë parashikuar detyra funksionale të KQV, por edhe një informacion shterues lidhur me dokumentacionin e punës që KQV përdor, llojet e vendimeve apo procesverbaleve që KQV plotëson.
Për konkretizimin e mënyrës sesi plotësohen modelet e vendimeve apo procesverbaleve, materiali ndihmës përmban edhe llojet e vendimeve apo procesverbaleve të plotësuara.
Shpjegohen detyrat dhe veprimet që kryen KQZ një ditë para zgjedhjeve si dhe detyrat dhe veprimet që kryen në ditën e zgjedhjeve. Për një kuptueshmëri më të mirë të udhëzuesit, dita e zgjedhjeve është ndarë me rubrika në të cilat janë parashikuar veprime që KQV kryen para hapjes së votimit, procedurën e votimit, mbylljen e votimit dhe veprime që kryen pas mbylljes së votimit.
Po ashtu, janë parashikuar edhe procedurat që KQV ndjek lidhur me rastet kur pajisja e identifikimit elektronik nuk punon, apo kur kjo pajisje nuk regjistron gjurmët e gishtave të zgjedhësve.
Gjithashtu, janë parashikuar edhe rastet e veçanta të votimit në të cilën përcaktohet sesi vepron KQV kur paraqitet një zgjedhës që për arsye fizike nuk është në gjendje të kryejë vetë procedurat e votimit, apo kur në qendrën e votimit paraqitet një zgjedhës që nuk shikon apo kur paraqitet një zgjedhës me vendim gjykate.
Udhëzuesi ka parashikuar edhe votimin që cenon procesin zgjedhor, si për shembull në rastin e votimit të dyfishtë apo paraqitja e një zgjedhësi i paregjistruar në listën e zgjedhësve si dhe raste kur zgjedhësi voton jashtë dhomës së fshehtësisë, dëmton fletën e votimit pa dashje apo fotografon fletën e votimit në dhomën e fshehtësisë, si dhe situata që KQV mund të pezullojë votimin dhe të kërkojë ndihmën e policisë së Shtetit për vendosjen e rendit në QV.
Burimi ATSH