
Gjatë mandatit të katërt, investimet në bujqësi deri në 500 milionë euro
Në sektorin e bujqësisë, deri tani janë mbështetur 1000 projekte, ku spikasin 400 pika të reja grumbullimi dhe agropërpunimi dhe 120 agroturizma

Kryeministri, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit qeverisës “Shqipëria 2030” se në sektorin e bujqësisë, deri tani janë mbështetur 1000 projekte, ku spikasin 400 pika të reja grumbullimi dhe agropërpunimi dhe 120 agroturizma, ndërkohë sipas Ramës numri i përgjithshëm falë nxitjes së kësaj industrie të re, kësaj dege të re të industrisë së re të turizmit është rreth 250.
“Janë 1000 projekte të tjera që do të realizojmë gjatë mandatit të katërt dhe janë projekte që dimë ekzaktësisht në cilat drejtime dhe të gjithë ju nëpër qarqe do duhet t’i trajtoni specifikisht.
Po toka? Toka, kur ne e morëm detyrën, sipërfaqja e tokës ujitshme kishte dy herë e gjysmë më e vogël se sot, pra sot, që sipas kënetës kanë ikur të tërë nga Shqipëria, janë 300 mijë hektarë tokë që punohen sepse ujiten, kur sipas “kënetës”, të gjithë ishin këtu në Shqipëri, ishin vetëm 120 mijë hektar tokë. 300 mijë hektar sot ujiten, kullohen, por mbeten dhe 60 mijë hektarë të tjerë për ta përmbyllur të gjithë projektin e ujitjes së çdo pëllëmbe tokë diellore të punueshme në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se edhe sipërfaqet e kultivuara të serave në vitin 2024, e kaluan shifrën 2 mijë hektarë. “Saktësisht 2100 hektarë, sa krahasimisht me tre mandate më parë, kur ne morëm detyrën, trefish. Trefish. Eksportet bujqësore i kaluan gjysmë miliard euro, katërfishi nga koha kur ne e morëm detyrën, katërfishi. Dhe deficiti tregtar, se kjo është shumë e rëndësishme, deficiti tregtar ishte 1 me 9, pra një eksport 9 import për ushqim.
Sot jemi 1 me 3, 1 eksport 3 import sepse edhe në tregun e brendshëm kemi shumë më tepër prodhim brendshëm, por sepse edhe në eksport kemi shumë më tepër eksport të prodhimit të brendshëm. Flasin e flasin e flasin këneta dhe të gjithë moçalishtet e vogla rreth e rrotull për sigurinë ushqimore”, vijoi ai.
Më tej, Rama theksoi se kur qeveria socialiste mori detyrën Kur kryheshin vetëm 6 analiza laboratorike të produkteve bujqësore, ndërsa sot kryen 1909 lloje analizash të akredituara nga Bashkimi Europian.
“Gjatë mandatit të katërt ne do ta çojmë në afro 500 milionë vlerën totale të investimeve në bujqësi dhe synojmë të arrijmë objektivin superambicioz të 1 miliard euro eksporteve.
Para pak kemi publikuar, pasi kemi bërë edhe kalimin në parlament të Paketës së Maleve. Çdokush që ka në zotërim një tokë dhe që e posedon si fakt, por nuk e posedon me letra, pra, është toka e të parëve, por nuk e ka dokumentacionin e rregullt të pronësisë mund të kthehet nga qyteti në tokën e të parëve, mund të kthehet nga jashtë shtetit në tokën e të parëve dhe mjafton të paraqesë një dokument, një vërtetim të thjeshtë nga Këshilli Bashkiak, që ai, familja e tij janë zotërues, faktikë, por jo pronarë me letra të asaj toke për të marrë një leje zhvillimi dhe për të investuar në ekonominë malore, agroturizëm, pemë, linjë përpunimi, qendër sportive, sporte malore, etj. E merr lejen e zhvillimit, e blen tokën me një euro, tokën e vet, vetëm një euro paguan simbolikisht dhe në momentin kur ka mbaruar investimi, e hipotekon, është toka e tij, edhe me letra falë investimit”, vijoi ai.
Rama tha se 500 aplikuesit e parë në këtë program, thirrja për të cilët do të lançohet pas zgjedhjeve sepse nuk duhet që të tjerët ta përdorin si krim elektoral, sepse sipas Kryeministrit është bërë një ligj që praktikisht i ka zhveshur nga gjithçka, “thjesht dhe vetëm që kur ta zhveshim bufin nga të gjitha puplat, me të gjithë puplat e tjera të gjithë zogjve të kënetës, mos thonë që jo, po se kishit këtë, jo po se kishit atë”.
“Pra, kur të hapim thirrjen, 500 sipërmarrësit e parë do të mund të përfitojnë nga kjo paketë malesh, duke paguar 0 taksë, 0 TVSH për dhjetë vjet.
Kështu që bëhuni gati, përgatituni 500 të parët. Zero taksë, zero TVSH për 10 vjet, të tjerët do të kenë regjimin që kanë sot agroturizmat, që prapë është një regjim shumë i favorshëm, me 5% taksë, 6% TVSH”, pohoi Rama.
Burimi ATSH