
Rama publikon risitë për mandatin e katërt: Paqe fiskale të negociuar me biznesin
Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama në prezantimin sot të programit qeverisës “Shqipëria 2030”, deklaroi se edhe në mandatin e katërt mbetet i pandryshuar regjimi për biznesin e vogël.

Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama në prezantimin sot të programit qeverisës “Shqipëria 2030”, deklaroi se edhe në mandatin e katërt mbetet i pandryshuar regjimi për biznesin e vogël.
Rama theksoi se deri në 2029, Shqipëria do të vazhdojë të jetë, jo vetëm i vetmi vend me zero taksë për biznesin e vogël në rajon, por dhe vendi me nivelin më të ulët absolut të taksave në rajon për të punësuarit, ku 93% e të gjithë atyre që marrin një pagë në Shqipëri paguajnë më pak se 10% nga pagat.
Ai vuri në dukje se “biznesi i vogël vuante një taksim të dyfishtë dhe duke u nisur nga një xhiro prej 55 mijë eurosh paguante 10% taksë, 20% TVSH, njësoj si biznes i madh, s’kishte asnjë dallim. Një furrë buke paguante sa 15-katëshi, njësoj”.
“Ne jo vetëm zeruam taksën, po dhe e rritëm nga 55 në 140 mijë euro, tavanin e xhiros vjetore që llogaritesh biznes i vogël dhe e hoqëm TVSH për gjithë biznesin e vogël, me një xhiro deri në 100 mijë euro. Ky regjim e kemi premtuar dhe do ta mbajmë edhe në mandatin e katërt, do të mbetet i pandryshuar”, tha Rama.
Sa i përket biznesit të madh, Kryeministri Rama tha se i pandryshuar do të mbetet regjimi i taksës 15%, por mandati i katërt do të ketë një risi.
“Në mandatin e katërt ne do të kemi një paqe fiskale të negociuar me biznesin, një instrument i njohur qysh në kohëra shumë të vjetra, të cilën latinët e quanin Pax Fiscalis Cum Negotiis. Më pëlqen shumë kjo ide dhe do t’i propozojmë biznesit, qysh në qershor, një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3-vjeçare, ku 15% i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%. Kjo është një paqe që nënkupton edhe fundin e çdo lloj inspektimi tek biznesi, të çdo lloj kontrolli dhe të çdo lloj minuti të harxhuar për kontrolle bazuar mbi një marrëveshje paqeje, por kjo do të nxjerrë në dritë edhe shumë të ardhura të padeklaruara për arsyet që i dimë që biznesi nuk i ka deklaruar veç faktikisht hyn edhe tek një sërë borxhesh e historisë që as nuk kanë për t’i paguar kurrë po të duash”, nënvizoi Rama.
Më tej, Rama tha se “kur ne morëm detyrën, Shqipëria eksportonte 2,8 miliardë euro në total. Ne i çuam eksportet në 8,4 miliardë në 2024-n ose tri herë më shumë”.
“Në mbështetje të biznesit, gjatë mandatit të katërt do të mobilizojnë mbi 2 miliardë euro ekstra në formën e kredisë dhe garancisë nga dy banka, nga Banka e Shqipërisë, ka filluar mobilizimi 250 milionë euro, një linjë financimi novative që sot mund të aksesohet në bankat e nivelit të dytë me një garanci shtetërore mbi kolateralin 70% dhe me një normë interesi më të ulët se, duke filluar nga më pak se 3% po mund të shkojë edhe më poshtë nga negocimi. Ndërkohë, edhe nga Banka e Zhvillimit, më në fund kemi legjislacionin tonë dhe do të nisi rrugën edhe banka e shumëpritur dhe shumëpërfolur më parë e zhvillimit. Një bankë e ndërtuar bashkërisht me “Cassa Depositi e Prestiti”, një nga bankat më të vjetra të zhvillimit në Europë dhe që do të funksionojë me të njëjtin model si ajo bankë në Itali. Ndërkohë që, 1 miliard euro të tjera do të mobilizohen nga paketa Smart Albania”, nënvizoi Rama.
Falë këtij mobilizimi financiar, Kryeministri vuri në dukje se “ne do të gjenerojmë rreth 8 miliardë euro ekstra në ekonomi, si dhe do të krijojmë deri në 100 mijë mundësi të reja për punë, por më e rëndësishmja për punë të mirëpaguar”.