
Rama: Njohjen e pensioneve të mos e marrim nga marrëveshja me qeverinë greke, por përmes anëtarësimit në BE
Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot shqiptarëve në Athinë të votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, pasi sipas tij, tashmë ka një rrugë tjetër për të arritur njohjen e pensioneve, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot shqiptarëve në Athinë të votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, pasi sipas tij, tashmë ka një rrugë tjetër për të arritur njohjen e pensioneve, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në takimin me shqiptarët e Athinës, Greqi, Rama tha se “ne duam të mbyllim marrëveshjen për pensionet me Greqinë. Por ka dy rrugë sot, nuk ka vetëm një, deri dje kishte vetëm një rrugë që të negociojmë me qeverinë greke me të cilën kemi marrëdhënie shumë të mira sot. Të bëjmë atë që bëmë më italianët që na morën frymën me vite të tëra se janë dy marrëveshje të vështira se bëhet fjalë për shumë njerëz”.
“Por ka edhe një rrugë tjetër të gjithë ju të gjithë shqiptarët e Greqisë të votojnë aty tek numri 5 dhe njohjen tuaj të pensioneve të mos e marrim përmes marrëveshjes me qeverinë greke, por përmes anëtarësisë në BE. Sepse në momentin që bëhemi anëtarë të BE-së pasaporta kuq e zi që ju do të keni të gjithë në dorë do të jetë e mjaftueshme dhe do të jetë njësoj e barabartë me pasaportën greke që nuk do t’iu duhet më fare”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “pasaporta greke do t’ju duhet vetëm nëse ndonjëri do të ketë ambicie të bëhet deputet në parlamentin grek. Ndërkohë që me pasaportën shqiptare të BE-së shqiptarët me atë pasaportë mund të kandidojnë për kryetar bashkish për këshillat bashkiakë në Greqi dhe vendet e BE-së sepse evropianët me atë pasaportën e BE-së kudo ku rrinë në shtëpinë e tyre nuk kanë të drejtë të zgjedhin vetëm parlamentin që u takon ta zgjedhin ata që janë me pasaportën e atij vendi, por për çdo gjë tjetër janë në shtëpinë e tyre”.
Rama tha se “me atë pasaportë dhe me 11 majin Shqipëria hyn në një proces që në pak vite bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria”.
Burimi ATSH