
“HangArt”, Rama: Rrisim burimet vit pas viti, investim në menaxhimin e institucioneve të kulturës
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin e hapjes së HangArt, një hapësirë e re kulturore që bashkon skenën e pavarur, institucionet kulturore dhe partnerët e tyre.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në eventin e hapjes së HangArt, një hapësirë e re kulturore që bashkon skenën e pavarur, institucionet kulturore dhe partnerët e tyre.
Gjatë mbrëmjes, u paraqit edhe nisja e edicionit të katërt të Javëve Kulturore Ndërkombëtare CulturAlb, rrjeti i qendrave për promovimin e kulturës shqiptare në botë, programi Kombëtar i granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë si mbështetje për skenën e pavarur artistike.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se “ ambicia jonë është të rrisim në mënyrë të konsiderueshme vit pas viti burimet për kulturën dhe pjesë e këtij qëllimi është edhe vet organizimi i ri i ministrisë dhe kombinimi në një strukturë i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit”.
“Ne kemi rritur ndjeshëm buxhetin, jemi duke punuar edhe për një sërë skemash të reja të cilat besojmë do t’i vijnë në shërbim njerëzve të kulturës, skenës, aktiviteteve të drejtpërdrejta në të gjitha fushat që mbulon ky art i gjerë institucional”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “do të bëjmë një përpjekje të posaçme për të stimuluar edukimin e menaxherëve të kulturës”.
“Në këtë pikë ndjejmë që ka një hendek midis aktorëve, protagonistëve që janë të pjekur, kanë plot gjëra interesante për të dhënë, për të thënë, për të ndarë më publikun jo vetëm brenda mureve tona, por edhe përtej kufijve dhe pjesës së menaxherëve dhe kulturës së menaxhimit të institucioneve të kulturës që tek ne fatkeqësisht është e mangët dhe është e domosdoshme të investojmë në mënyrë të konsiderueshme në këtë drejtim sepse krijojmë hapësira të reja dhe akoma edhe më ambicioze”, u shpreh Kryeministri.
“Pyetja e madhe që mbetet është si do të arrijmë që këto hapësira t’i kthejmë në hapësira pjellorie dhe begatie për sa i përket produkteve që do të mund të sjellin këto hapësira dhe këtu nuk është çështje as e talenteve që duhet t’i përdorin këto hapësira as e parave që duhen investuar për këto hapësira, por është edhe çështje e mënyrës se si këto hapësira administrohen dhe menaxhohen”, tha Rama.
Kryeministri Rama foli edhe për Qendrën e re Kombëtare Kulturore për Fëmijët, për të cilën theksoi se “sot pamë një zhvillim impresionues dhe jam i bindur do të keni këtë ndjesi kur ta shikoni për herë të parë këtë qendër. ku do të strehohet një pjesë domethënëse e kulturës dhe aktivitetit artistik në funksion të moshave të reja”.
Por, vijoi Rama, pyetja që lind është sa i kemi ne kapacitetet për ta transformuar atë investim që po bëhet atje dhe për të transformuar ato hapësira gjigante që po krijohen atje në territore pjellore dhe të begata për të gjithë ata që do të shfrytëzojnë atë qendër dhe për të gjithë do të jenë qoftë protagonistë dhe konsumatorë të asaj që do të prodhohet në atë qendër.
“Po e njëjta pyetje lind edhe për Galerinë Kombëtare, Teatrin Kombëtar, që tanimë është në ndërtim e sipër dhe nuk do të jetë një institucion që ka një skenë të rraskapitur si ajo që fatmirësisht më në fund i hapi rrugën Teatrit të ri Kombëtar, por ku është një fabrikë e vërtetë në vetëmenaxhimin e gjithë asaj logjistike, që do të duhet të instalohet aty dhe duhet t’i shërbejë prodhimit”, tha Rama duke shtuar se “këtë gjë e pamë edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit”.
Kryeministri Rama theksoi se “po kjo pyetje lind për Muzeun Kombëtar, i cili do t’i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor dhe praktikisht do të jetë një hapësirë tjetër, më e madhja në fakt nga pikëpamja e volumit të hapësirave, ku do duhen, jo thjesht të strehohen objekte apo të strehohen copëza historie, po do duhet të krijohet në të përditshmen një aktivitet, që s’është vetëm aktivitet soditjeje, por edhe aktivitet kërkimesh, aktivitet ekspozimesh, aktivitet debate, e kështu me radhë”.
Më tej Rama tha se “e dimë që në vend i kemi të kufizuara burimet njerëzore për të çuar përpara një axhendë kualifikimi të lartë të menaxherëve të kulturës, por nga ana tjetër, nuk mund t’i referohemi vetëm menaxherëve të huaj apo burimeve të huaja, por duhet të gjejmë mënyrën të bëjmë një kombinim dhe duhet të gjejmë mënyrën të krijojmë këtu një shkollë”.
“Pjesa e fundit që kam është pikërisht kjo e shkollës, e rritjes së kapaciteteve për të edukuar më shumë dhe për t’iu dhënë më shumë vajzave dhe djemve të talentuar, mundësinë që të formohen në të gjitha fushat. Ka filluar një aktivitet shumë frymëzues, do thoja këtu, me shkollën e re të filmit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “është një aktivitet si të thuash bashkimi vullnetar midis atyre që e kanë hapur derën e shkollës, neve që i kemi vënë në dispozicion hapësirën, por është pjesë e dëshirës dhe e frymës për të stimuluar sa më shumë hapësira të tilla, duke krijuar sa më shumë mundësi që profesionistë të rinj, vajza e djem të rinj që mbarojnë shkollat dhe që aspirojnë të bëhen protagonistë të skenës të artit e të kulturës, të kenë mundësinë njëkohësisht që të mësojnë të tjerët dhe të kenë mundësi që duke mësuar të tjerët, të mund të shpërblehen në mënyrë të konsiderueshme dhe kjo ka të bëjë me edukatorët e disiplinave të ndryshme, që do të duhet të kemi në QKF, kjo ka të bëjë me edukatorët që do duhet të kemi në Galerinë Kombëtare, në Muzeun Kombëtar, në Teatrin Kombëtar për të krijuar hapësira, që ndërkohë që aty prodhohet dhe konsumohet spektakël ose çfarëdo qoftë aktiviteti tjetër, edhe të formohen breza më të rinj”.