Ibrahimaj: Sektori i ndërtimit, përmirësim në cilësi dhe standarde
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria po mbështet përmes politikave të qarta, krijimin e një klime të favorshme për sipërmarrjen dhe nxitjen e investimeve në teknologji të gjelbra dhe inovacion.

Ibrahimaj, e cila mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të risive në fushën e ndërtimit nga kompania austriake “Alukönigstahl”, një partner i rëndësishëm i zhvillimit urban në vend, tha se bizneset po ecin krah qeverisë në këtë transformim, duke sjellë përvojën e BE-së, që çdo ndërhyrje urbane të reflektojë vizionin për një Shqipëri moderne.
“Sektori i ndërtimit në Shqipëri po njeh jo vetëm një rritje të ndjeshme, por edhe një përmirësim të vazhdueshëm në cilësi dhe standarde, si elementë kyç në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi ajo.
Ekonomia shqiptare u rrit me afro 4% gjatë vitit 2024, ose 0.02% më shumë se një vit më pare. Pozitivisht në rritjen ekonomike edhe në vitin e shkuar vijoi të kontribuojë sektori i ndërtimit. Në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas ndërtimi shënoi rritje me 1,57%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-shit.
Burimi ATSH