
Konkurs ndërkombëtar për zhvillimin e zonës së Cirkut, Rama: Tirana, “lokomotiva” e një transformimi epokal
Në praninë e Kryeministrit Edi Rama po prezantohen sot projektet nga përfaqësuesit e studiove, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; L’AUC, Francë; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali, – ku në përfundim do të shpallet edhe projekti fitues.

Një tjetër zonë qendrore e Tiranës, e mirënjohur për qytetarët si zona e Cirkut, do të rivitalizohet, falë një projekti bashkëkohor që do të përzgjidhet nga gara ndërkombëtare e 6 studiove të arkitekturës, nga të cilat, 5 janë të reja për publikun shqiptar, por me shumë eksperiencë në vendet e tyre dhe në botë.
Në praninë e Kryeministrit Edi Rama po prezantohen sot projektet nga përfaqësuesit e studiove, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; L’AUC, Francë; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali, – ku në përfundim do të shpallet edhe projekti fitues.
Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Rama vlerësoi se kjo është një tjetër maratonë arkitekture për vizionin e zhvillimit të një zone qendrore në Tiranë.
“Brenda një harku shumë të shkurtër kohe rikthehemi këtu për një tjetër konkurs ndërkombëtar, këtë herë një konkurs i organizuar nga vetë subjekti në kuptimin e kërkesës për të bërë një zhvillim shumë të rëndësishëm në qendër të Tiranës”, tha Rama.
Ashtu si është vepruar edhe në raste të tjera, Rama tha se “kemi kërkuar që ky zhvillim t’i nënshtrohet konkursit”.
“Jemi këtu bashkë me një juri, prestigji i së cilës vjen nga prania e disa arkitektëve vërtetë të jashtëzakonshëm që nuk janë thjesht të ftuar nga jashtë, por janë edhe protagonistë të transformimeve të rëndësishme të vendit në fushën e zhvillimit urban me projektet e tyre. Dëshiroj që duke i falënderuar anëtarët e jurisë që pranuan ftesën për të na ndihmuar në një gjykim sa më të mirarsyetuar, të falënderoj edhe të gjitha studiot që aplikuan”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ishin një numër i konsiderueshëm studiosh që aplikuan.
Rama theksoi se “ky është një tjetër gur i rëndësishëm që ne synojmë të vëmë në rrugën e re të vendit, një rrugë ku Tirana është “lokomotiva” e një transformimi epokal, falë dhe pikërisht këtyre zhvillimeve që kanë përfshirë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh ndërkombëtarë”.
“Këto zhvillime kanë krijuar një hapësirë të jashtëzakonshme për arkitektët vendas, për të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë pasion arkitekturën dhe që e ushtrojnë këtë profesion, që faktikisht të jetojnë në një vend që sot është një ‘universitet’ i hapur dhe që falë, jo vetëm këtyre konkurseve, por edhe partneriteteve me studiot e mëdha ndërkombëtare, të mund të përfitojë një dije shumë të çmuar, një dije përmes ndërveprimit me profesionistë shumë të spikatur të kësaj fushe mundësish edhe parafytyrimesh të pafundme”, shtoi Rama.
Burimi ATSH