
Kallas: Viti 2030, objektiv realist për integrimin e Shqipërisë
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas u shpreh sot gjatë konferencës së shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë se objektivi për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane deri në vitin 2030 është një objektiv realist

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas u shpreh sot gjatë konferencës së shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë se objektivi për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane deri në vitin 2030 është një objektiv realist, por që bazohet në shtetin e së drejtës dhe kushtëzohet nga fakti nëse të dyja palët gjatë këtij rrugëtimi bëjnë mirë “detyrat e shtëpisë”.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias nëse kushtëzohet integrimi i Shqipërisë në BE nga reforma të caktuara, një prej tyre ajo e ndjekjes së korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, Kallas tha se “viti 2030 është një objektiv realist, në rast se ne të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhur gjatë rrugës. Por, jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe reformat e miratuara që duhen të vihen në zbatim”.
“Dhe sundimi i ligjit është skajshmërisht i rëndësishëm, pasi shteti i së drejtës është një nga themelet e BE, por edhe themeli i begatisë së një vendi sepse në rast se investuesit kanë besim te sistemi juaj ligjor ata kanë besim të investojnë në ekonominë tuaj. Kjo është në të mirën e Shqipërisë, është realiste në rast se të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”, tha Kallas.
Burimi ATSH