
Rama: Jemi duke vendosur themelet e barazisë para ligjit, hyrja në BE i bën të pakthyeshme
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po vendos themelet e barazisë para ligjit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po vendos themelet e barazisë para ligjit dhe hyrja në BE, në radhë të parë mundëson që barazia para ligjit të jetë e pakthyeshme dhe të mos varet nga vullneti i një qeverie apo një kryeministri, por të jetë një normë e panegociueshme dhe e pashkelshme nga askush.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, Rama theksoi se në vendin tonë, nuk ka pasur asnjëherë barazi para ligjit.
“BE nuk është thjesht çështje investimesh madje për ne, për historinë tonë, për mënyrën sesi ne e kemi kërkuar Europën, në radhë të parë është një çështje lirie, një çështje të drejtash individuale, është një çështje barazie para ligjit. Ne nuk kemi pasur asnjëherë barazi para ligjit. Dhe sot vetëm në këto vite të fundit, ne jemi duke bërë një ushtrim të panjohur më parë për shtetin, për popullin tonë, ushtrimin për të pasur barazi para ligjit fale reformën në drejtësi dhe e përsëris nga që 1912 ku ne kemi shpallur shtetin e pavarur nga perandoria ne nuk kemi pasur asnjë rast ku një person i veshur me pushtet politik të jetë hetuar dhe gjykuar në mënyrë të pavarur”, deklaroi ai.
“Kemi kaluar nga mbretëria në diktaturën komuniste, nga diktatura komuniste në tranzicionin demokratik, vijoi Rama, por nuk kemi pasur asnjëherë një hetim dhe një gjykim të pavarur dhe nuk e kemi njohur çfarë është barazia para ligjit”.
“Sot jemi duke vendosur pikërisht themelet e barazisë para ligjit dhe ne na duhet hyrja në BE në radhë të parë për këtë, që barazia para ligjit të jetë e pakthyeshme, që barazia para ligjit të mos varet nga vullneti i një qeverie apo një qeverie tjetër, nga vullneti i një kryeministri apo një kryeministri tjetër, por të jetë një normë e panegociueshme dhe e pashkelshme nga askush më dhe nëse ne bëhemi anëtarë të kësaj familje, kjo është e garantuar dhe kjo është një gjë shumë e madhe për ne”, u shpreh Rama.
Nëse jemi duke e përjetuar këtë moment historik, theksoi kryeministri, kjo lidhet me vullnetin e kësaj shumice që qeveris sot vendin, që udhëhoqi reformën në drejtësi dhe me mbështetjen e pakufishme të Bashkimit Europian në këtë aspekt.
Për këtë, Rama tha se ishte krenar.
“E parë në perspektivën historike dhe e parë me sytë e të ardhmes, unë nuk jam i kënaqur! Unë jam krenar shumë për këtë! Unë jam shumë krenar sepse ky është një nga ato gurë themele që mund t’i mbulojë llumi i kënetës së politikës së përditshme, por historia i kujton dhe i mban parasysh si momente të shtetbërjes dhe patjetër që nuk jam i kënaqur, jam shumë krenar. Ne do vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht këtë proces të barazisë para ligjit dhe aleanca me Bashkimin Europian është një garanci absolute për këtë se Bashkimi Europian ka të gjithë dijen dhe ka të gjithë instrumentet për të na lehtësuar një proces që pa Bashkimin Europian, do të ishte i pamundur”, deklaroi Rama.
Ne, shtoi Rama, nuk do pushojmë një sekondë derisa të hyjmë në derën e Bashkimit Europian dhe të ulemi në të njëjtën tryezë me Bashkimin Europian.
“Si një njeri i dashuruar marrëzisht që sado që i thonë kujdes se martesa nuk është gjëja më e bukur që mund të ndodhë, nuk i ndahet dashurisë së vet derisa martohet dhe si një njeri që mund të flasë për martesën me shumë kompetencë, po ju them që në fund të ditës nuk ka më mirë se martesa, kur është e duhura. Kaja ti e di që unë e kam “marriage based” këtë proces, jo “merit based””, u shpreh kryeministri.
Burimi ATSH