
Rama: Ky pesëvjeçar rikthen hekurudhat në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ky pesëvjeçar do të jetë koha kur do të kthehen hekurudhat në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ky pesëvjeçar do të jetë koha kur do të kthehen hekurudhat në Shqipëri.
Deklarata e Ramës u bë në konferencën e përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ku dhe u nënshkrua marrëveshja për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, një arterie kyçe që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit tonë si një nyje lidhëse në rajon.
“Nënshkrimi i marrëveshjes për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë është pjesë e një programi masiv investimesh në infrastrukturën hekurudhore dhe kjo është edhe arsyeja se pse ky pesëvjeçar që na ndan nga mbyllja e kësaj dekade do të jetë njëkohësisht edhe një pesëvjeçar ku do të kthehen hekurudhat në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Anëtarësimi në BE, theksoi ai, mundëson kryerjen e një sërë investimesh.
“Kuptohet në një nivel tjetër nga çfarë ishin dhe kjo është një nga shumë arsyet jo vetëm për të besuar, por edhe për të luftuar që ne të anëtarësohemi në BE, sepse falë kësaj marrëdhënie, ne jemi në gjendje të kryejnë një sërë investimesh që do të ishin të pamundura për ne”, deklaroi Rama.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe drejtori i Bankës Europiane për Investime, Lionel Rapaille nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap tjetër i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës tonë.
BE jep 90 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës, nga të cilat 62 milionë euro grante.
Në total ndërtimi i hekurudhës kushton 120,5 milionë euro.